Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Koçi Xoxes, flet i biri: Çfarë na tha vetëm pak para se ta pushkatonin

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Koçi Xoxes, flet i biri: Çfarë na tha vetëm pak para se ta pushkatonin

Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe

Pjesa e parë

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Koçi Xoxes me origjinë nga Kolonja, por i lindur në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi, ku familja e tyre ishte vendosur për arsye ekonomike, i cili pasi studioi dhe u diplomua shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929, u kthye në qytetin e Korçës, ku u njoh për herë të parë me idetë dhe literaturën komuniste, duke u bërë më pas një nga themeluesit dhe kryetari i parë i Grupit Komunist të Korçës që në fillimin e viteve ’30-të. 

Si u mandatua ai për të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare në nëntorin e vitit 1941, por u arrestua nga italianët pak kohë para asaj mbledhje, ku ai për kontributin e madh në lëvizjen komuniste, u zgjodh në mungesë, si anëtar i Komitetit Qendror provizor i PKSH-së, e më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që nga 10 korriku i vitit 1942, delegate në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944, ku i jepet grada gjeneral-major. Karriera brilante e Xoxes menjëherë pas mbarimit të Luftës duke ngjitur shkallët e hierarkisë partiake dhe shtetërore, si sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër i ‘qeverisë demokratike’, duke qenë figura numër dy e Shqipërisë komuniste, pas gjeneral-kolonel Enver Hoxhës.

Fotot e panjohura dhe dëshmitë e rralla të dy djemve të tij, Gencit dhe Fatosit, të cilët për herë të parë hedhin dritë rreth historisë së panjohur të familjes së tyre dhe babait, Koçi Xoxe, marrëdhëniet dhe raportet e tij me Enverin, si dhe arsyet e vërteta të goditjes dhe eliminimit fizik të tij, si dhe fatin tragjik të tyre pas vitit 1949, kur atë e pushkatuan diku në një pyll në periferi të Tiranës, aty ku është ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij!

“Pasi e arrestuan babanë, në fillim e çuan dhe e izoluan në bodrumet e ‘Pallatit të Brigadave’, e pas disa kohësh e dërguan në Burgun e Ri të Tiranës, ku mbahej nën masa të rrepta sigurie, me shumë policë e ushtarë. Gjatë kohës së hetuesisë, ne të familjes mundëm ta takonim vetëm dy herë. Kur e takuam herën e dytë, pak kohë para se ta pushkatonin, ishim të gjithë pjesëtarët e familjes, nëna jonë Sofika dhe motra e saj, dy motrat Shpresa me Lirinë, vëllai i madh Genci, vëllai tjetër Çlirimi, unë dhe vëllai i vogël Besniku, që asokohe nuk ishte më shumë se dy muajsh. Siç thashë, unë atëherë kam qenë i vogël e nuk e mbaj mënd, por siç na ka treguar nëna dhe vëllai i madh Genci, që atëhere ishte 12 vjeç, para se të ndaheshim, babai ju drejtua vëllait të madh, duke i thënë: Genci mos e mbaj kokën ulur dhe të mos vij turp se unë jam këtu. Unë kam punuar dhe luftuar 20 vjet për Shqipërinë dhe tani po më thonë se kam bërë gabime. Por ja ku po ua them të gjithëve, ta dini se unë nuk kam bërë asgjë në kokën time nga këto akuza, që më ngrenë këta. Unë për çdo gjë kam vepruar sipas vendimeve të Byrosë Politike dhe të Komandantit Enver Hoxha”.

Kështu e kujtonte Fatos Xoxe, takimin e fundit me babanë e tij, Koçin, gjatë kohës që ai mbahej i arrestuar në qelitë e Burgut të Ri të Tiranës (i njohur si Burgu “Mine Peza”), në prillin e vitit 1949, pak kohë para se ai të pushkatohej, i akuzuar si “armik i popullit”, edhe pse deri para arrestimit, ishte figura nr. 2 e regjimit komunist, duke mbajtur funksionet më të larta partiake dhe shtetërore, pas Enver Hoxhës.

Edhe pse ka kaluar një jetë të tërë, plot strese dhe peripecira të pafundme që akoma nuk i janë ndarë, i vendosur në një apartament diku në fund të Rrugës së Kavajës në kryeqytet, që nga viti 1991 kur u kthyen nga internimi, sapo i treguam qëllimin e “vizitës” sonë, Fatos Xoxe e “mbylli” menjëherë biznesin e tij (shiste veshmbathje në trotuar), dhe na priti me shumë dashamirësi, madje u çel në fytyrë, ndoshta sepse ishte hera e parë që dikush kujtohej për babanë e tij, gjeneral-leitnant, Koci Xoxe, njeriun që deri në vitin 1949, kur u ekzekutua, konsiderohej si një nga personat më të fuqishëm në Shqipërinë komuniste, me një pushtet të hekurt, sigurisht pas Enver Hoxhës dhe hera-herës, duke qenë një hap para apo prapa tij, falë posteve të nën kryeministrit, anëtarit të Byrosë Politike dhe sekretarit organizativ të Komitetit Qendror të PKSH-së.

Por edhe pse e shprehte qartë në portretin e tij një lloj gëzimi për ‘vizitën’ tonë të papritur, ai me shumë dashamirësi, si për të mos e humbur atë rast ‘fatlum’), na e bëri të ditur se ishte në dispozicionin tonë, por i duhej që më parë të vinte në dijeni vëllanë më të madh, Gencin, jo vetëm pse ai dinte më shumë rreth historisë së familjes së tyre, por edhe për faktin se që nga viti 1949, kur ata mbetën pa baba, ‘komandën’ e familjes e morri Genci dhe ata që nga ajo kohë i bindeshin dhe e respektonin ende, njësoj sikur të ishte baba i tyre.

Po kush ishte Koçi Xoxe, cila ishte e kaluara e tij, nga ç’rreth familjar vinte ai, ku kishte studiuar dhe si mundi ai që t’i ngjiste shkallët e pushtetit, që nga koha e Luftës e deri në vitin 1949, kur dukej se po konsolidohej drejt “numrit një” të Shqipërisë komuniste? Pse u prish miqësia e ngushtë e tij me Enver Hoxhën, me të cilin dhe bukën nuk e hanin pa njeri-tjetrin, pasi dhe shtëpitë i kishin ngjitur dhe për dy familjet gatuante e njëjta kuzhinë dhe shërbente i njëjti personel!

Cilat ishin arsyet e vërteta që Enver Hoxha e goditi vartësin dhe mikun e tij më të ngushtë, duke e eliminuar atë edhe fizikisht?! A qëndrojnë akuzat e rënda që u thurën kundër Xoxes, për afro 40 vjet nga propaganda dhe historiografia e regjimit komunist dhe personalisht të Enver Hoxhës, i cili e akuzonte ndihmësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të tij, si: “njeriun më të errët në historinë e Shqipërisë dhe agjent të jugosllavëve, që kishte mbështetjen e Titos”?

A është vërtet përgjegjës Koçi Xoxe për terrorin e egër komunist që ndodhi gjatë viteve 1945-1948, kur ai ishte në postin e Ministrit të Brendshëm, ku u eliminuan apo u zhdukën fizikisht një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Hoxhës, pa përmendur këtu kundërshtarët e krahut tjetër politik, (pjesëtarët e organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’, ‘Legalitetit’ etj.), apo Xoxe ka qenë thjesht një zbatues i bindur i shefit të tij në të gjithë ato krime, siç ka ndodhur kudo në të gjitha diktaturat dhe vendet e Lindjes Komuniste?

Për shumë nga këto pyetje, pjesëtarët e familjes së Koçi Xoxes, si bashkëshortja Sofika, (në atë kohë afër të 90-ve dhe me një kujtesë brilante), ashtu dhe gjashtë fëmijët e saj, nuk japin një përgjigje të prerë. Jo se nuk e dine, apo se nuk duan, por ndoshta dhe nga një amanet i babait të tyre, që u ka lënë para se ta pushkatonin, duke u thënë: “Për mua do flasë vetëm historia”!

Kjo i bënte ata që t’i përmbaheshin “amanetit” së tij, por pavarësisht qëndrimit të familjes së Xoxe, dokumenta arkivore të nxjerra pas viteve ’90-të nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe arkivat e ish Sigurimit të Shtetit, (disa prej të cilave do i publikojmë me faksimile në këtë seri shkrimesh për Koci Xoxen), si dhe foto të panjohura që dëshmojnë më së miri aktivitetin dhe kontributin e tij gjatë Luftës, të cilat s’u publikuan kurrë nga propaganda dhe historiografia e regjimit komunist të para viteve ’90-të, hedhin dritë mbi falsifikimet e shumta që janë bërë në adresë të personit të tij, duke e akuzuar atë për shumë krime të kryera në një periudhë kohe, kur ai nuk e kishte marrë ende postin e Ministrit të Brendshëm!

Origjina e familjes Xoxe?

Koçi Xoxe ka lindur më 1 maj të vitit 1911, në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi dhe nëna e tij quhej Vasillo. Sipas dëshmive të familjes por dhe të babait të Koçit, Dhimitër Xoxe (ose siç e thërrisnin nipat e tij, Barba), i cili ka lindur në vitin 1883 dhe jetoi në Tiranë me nipat e tij deri në vitin 1971, familja Xoxe është me origjinë nga Kolonja. Por për arsye ekonomike, si shumë familje të tjera të asaj krahine dhe familja Xoxe u shpërngul nga trojet e tyre, duke u vendosur në fillim në fshatin Pilkat dhe më pas në Negovan.

Sipas dokumenteve që janë gjetur kohët e fundit në arkivat e administratës së shtetit helen, nga Besniku, (djali i vogël i familjes), trungu i fisit Xoxe që nga stërgjyshi i Koçit, ekziston i regjistruar në dokumentet kishtare greke që nga viti 1841. Gjyshi i Koçit quhej Sotir Xoxe dhe ai ishte njeriu që hapi shkollën e parë shqipe në fshatin e tij të lindjes në Negovan. Sotiri ishte njëkohësisht edhe mësues ‘dhaskal’ edhe kryetar i pleqësisë së Negovanit.

Sipas shumë dëshmive, por dhe dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar, Sotir Xoxe (Barba) ka pasur një aktivitet të dukshëm atdhetar dhe ai ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u firmos përfundimisht Alfabeti i Gjuhës Shqipe. Në vitet ‘30-të, familja e Sotir Xoxes, (gjyshit të Koçit) u shpërngul për në Konstancë të Rumanisë, ku Sotiri kishte drejtuar shtypshkronjën “Dituria”, që e kishte pronë të tijën. Pas viteve ’90-të, djemtë e Koçit, kanë gjetur në Greqi dokumentet administrative të gjyshit të tyre, Sotirit dhe prokurat që vërtetojnë pronat e familjes Xoxe, si dhe dokumentet kishtare dhe çertifikatën e lindjes e dokumentin e pagëzimit të babait të tyre, Koçit.

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Koçi Xoxes Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Koçi u rrit dhe u edukua nën kujdesin e gjyshit të tij Sotirit, që e kishte atë pikë të dobët dhe i kushtonte pjesën më të madhe të kohës. Ai pasi mbaroi gjashtë klasat e para në fshatin e tij të lindjes në Negovan, më pas u dërgua për të vazhduar mësimet në gjimnazin klasik të Selanikut, një ndër shkollat më të njohura të asaj kohe në Ballkan, pas “Zosimeas” të Janinës. Koçi ishte një ndër nxënësit më të dalluar të klasës së tij, si në mësime ashtu dhe tepër korrekt në sjellje e shoqëri.

Sipas dëshmive të pjesëtarëve të familjes, por dhe të disa personave të tjerë bashkëkohës të tij që jetojnë ende në Greqi (të cilët i kanë dëshmuar djalit të madh, Gencit), Koçi ishte një njeri tepër inteligjent nga natyra dhe ai e kalonte pothuajse gjithë kohën mbi libra, jo vetëm gjatë viteve të shkollës, por dhe pasi e përfundoi atë. Që kur ishte në bankat e gjimnazit klasik të Selanikut, ai lexonte libra në shqip e greqisht dhe fliste lirshëm shqip, greqisht, bullgarisht dhe rumanisht. Sipas dëshmive të Gencit, ish- shokët e shkollës të Koçit, i kanë treguar atij, që Koçi, përveçse një nxënës i shkëlqyer, ishte dhe sportist i mirë i dalluar veçanërisht si futbollist i talentuar, me ekipin e Negovanit, që asokohe drejtohej dhe sponsorizohej nga një bashkëfshatar i tyre i kamur, me mbiemrin Kacaranxa.

Kush ishte Koçi Xoxe?

U lind në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës, por origjina e familjes Xoxe, është nga Kolonja. Studioi dhe u diplomua shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929. Themelues dhe Kryetar i parë i Grupit Komunist të Korçës.

I mandatuar nga Grupi Komunist i Korçës për të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 nëntor 1941, por arrestohet nga italianët pak ditë para asaj mbledhje. Zgjidhet në mungesë anëtar i Komitetit Qendror provizor të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Arrestohet dhe burgoset nga italianët në vitin 1942, i akuzuar si antifashist.

Zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që nga 10 korriku i vitit 1942. Gradohet gjeneral-leitnant në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944. Emërohet Kryetar i Gjykatës së Lartë, në shkurtin e vitit 1945, dhe kryeson Gjyqin Special ndaj të ashtuquajturve “Kriminelë të luftës” në shkurt-marsin e atij viti. Emërohet nën kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme në vitin 1945. Zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor në legjislaturën e parë në vitin 1945 dhe anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë.

Zgjidhet sekretar organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1945. Emërohet ministër i Industrisë dhe Minierave në vitin 1948. I dekoruar ‘Hero i Popullit’ dhe me medaljet më të larta në Shqipëri deri në vitin 1948 dhe i dekoruar gjithashtu dhe me shumë urdhra e medalje të larta nga Bullgaria, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik etj.

Arrestohet në 28 nëntor të vitit 1948 dhe dënohet me vdekje e pushkatohet në maj të vitit 1949, duke e groposur diku në një pyll në periferi të Tiranës, aty ku sot ndodhet ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”.

Gjuhët e huaja që njihte: latinisht, greqisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, serbokroatisht dhe frëngjisht. Kur u pushkatua ishte 38 vjeç, i martuar dhe me gjashtë fëmijë. Akoma dhe sot nuk i dihet ku ndodhet vend-varrimi i tij. /Memorie.al/

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E verteta: 31/10/2021 15:01

    Koci xoxe pallonte enverin por nuk mund te vazhdonte me se e kishin filluar ta merrnin vesh edhe shoket dhe i tha enverit smund te vazhdoj me ..Envera nga inati e pushkatoi dhe mbas kesaj lidhje po e pallonte ramizi ..Enveri ishte homo ..eshte e vertetuar plotesiaht..

    Përgjigju
    • Albert: 02/11/2021 00:02

      Shoferin e njeh shoferi, spiunin e njeh spiuni, pederastin e njeh mirë pederastin o mik.

    • Fiks: 31/10/2021 19:18

      Pse plako i binte byt*es enveri?

  • Maks: 31/10/2021 12:17

    Tani spo lini njeri pa nxjerr nga ata qe jan denuar nga gjykatat e kohes se xhaxhit dhe mir beni Por kur te shkruani thoni te verteta sepse ata qe e kan jetuar ate kohe e dine me mir se ju qe shkruani Mendoj qe shkruani te gjitha faktet te mira apo te keqia ngado qe te rendoj faji

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur