Pukë- Po saldonte në servis, por aksidentalisht shkakton zjarr duke pësuar edhe vetë lëndime.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme (2 Dhjetor), rreth orës 19:00, në qytetin e Pukës, në ambientet e një servisi makinash.
Policia vendore bëri me dije se gjatë punës, si pasojë e saldimit në automjetin tip "Skoda", në pronësi të shtetasit E. A., është shkaktuar zjarr.
“Si pasojë është dëmtuar automjeti, si dhe ka marrë disa dëmtime të lehta, jashtë rrezikut për jetën, punonjësi që kryente saldimin e automjetit, shtetasi Sh.G.”, njoftoi policia vendore.
Grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe zbardhjes së plotë të shkaqeve dhe dinamikës.