Policia greke ka sekuestruar sot rreth 36 kg marijuanë në det, pranë Kanalit të Korfuzit. Droga u gjet teksa pluskonte pranë plazhit “Fiki” në pjesën veriore të ishullit Othonos. Droga ishte e futur në pako të madhe që përmbante 4 pako të vogla. Policia greke dyshon që të ketë sasi të tjera në det dhe për këtë vijon kërkimet.
Ndërkohë, një javë më parë policia greke gjeti një gomone të braktisur në Lefkadha e cila ishte e ngarkuar me rreth 375 kg lëndë narkotike marijuanë. Gomonia është pikasur nga anija “Discovery” me flamur malazez, me 4 anëtarë ekuipazhi në bord. Ka qenë pikërisht ekuipazhi i kësaj anije që ka njoftuar policinë greke. Sapo ka shkuar policia ka gjetur 5 milje larg vendit të quajtur “Athaniou” në Lefkadha, gomonen e braktisur pa motor dhe pa pjesëtare në bord.
(Droga e sekuestruar në gomonen e braktisur)
Brenda saj janë gjetur dhe sekuestruar 54 pako me 375 kg 295 gram marijuanë. Prej asaj dite policia vijon hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në trafik droge, ndërkohë që informacioni është dhënë vetëm ditën e sotme për media.
Komento