TIRANËAltin Dumani u paraqit në Kuvend që në orën 10 të paradites dhe me durim priti 7 orë që t’i vinte koha raportimit të tij, e pyetjeve të shumta nga deputetët. E para pyetje që mori përgjigje ishte ajo për aferën e inceneratorëve. Jorida Tabaku kërkoi të cilësohen si një grup i strukturuar kriminal. Ndërsa një merak, Tabaku e kishte edhe për Erion Veliajn.

“Kemi hetuar 71 persona, të të gjitha niveleve. Lidhur me inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, këto procedime kane kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjyqësor, dhe e kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga SPAK. Veliaj? Hetimi vazhdon për inceneratorin e Tiranës”, tha Dumani.

Në pyetjen e radhës Tabaku e sfidoi për largimin e tij, duke e cilësuar si dorëzim përballë presioneve. Në përgjigjen e tij, Dumani ripërsëriti edhe njëherë kërkesën e tij që prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia e rikandidmit pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar duke hedhur poshtë çdo aludim se kjo kërkesë lidhet me emrin e tij. Kur u pyet për Edi Ramën, Dumani theksoi se nuk ka persona të paprekshëm. 

“Unë nuk dorëzohem, do jem prokuror, po na la Zoti jetën” nuk ka të paprekshëm.

Ndërsa dy deputetët të tjerë, Luciano Boci e Gent Strazimiri u siguruan të përcjellin shqetësimet e Sali Berishës masën e sigurisë ndaj tij, pasi kryetari i tyre çuditërisht nuk kishte regjistruar asnjë pyetje për Dumanin të cilin nga selia e tij nuk e kursen aspak.

“Masat i kemi të verifikuara deri në gjykatë. Kjo është çështje që ka kaluar të gjitha faza. Të gjitha këto janë pyetje për gjyqin në GJKKO”, tha Dumani.

Lajmet se Belinda Balluku është marrë person në hetim, Dumani i pranoi, por se prokurorët e tij janë shantazhuar për dosjet e saj i përgënjeshtroi.

"Për çështje në hetim s’kam për të dhënë asnjë koment. Prenci dhe të gjithë prokurorët kanë të gjithë mbështetjen time dhe përkrahjen time si prokurorë të posaçëm. S’më ka paraqitur shqetësim për kërcënime për shkak të funksionit të tim ka mbështetjen time dhe solidaritetin tim në hetimin e çdo çështje dhe siç thashë jo vetëm Prençi", tha Dumani.

Për aeroportin e Vlorës dhe përplasjet mes aksionerëve, Dumani thotë se edhe kjo çështje është në lupën e SPAK.

“Me skandalin dhe vendimin e Gjykatës së Tiranës që ka bllokuar veprimet mes aksionarëve dhe vendimet e mundshme. Nuk mund të jap shpjegime të tjera apo informacione për çështje që janë në hetimin paraprak”, tha Dumani.

Pas nuk mbetet as koncensioni për autostradën Thumanë-Kashar.

“S’mund të jap informaciome se është në kuadër të verifkimit dhe hetimit të një tjetër çështje penale”,- tha Dumani.

Të tjerë opozitarë e pyetën për patronazhistët e socialistëve, por këtu ishte Dumani që i sfidoi.

“Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë”,- tha Dumani.

Ndërsa për akesin e tyre në të dhënat e qytetarëve u përgjigj kështu.

“Kemi hetuar një aplikacion “vendi im“, sipas procesverbalit evidentohet fakti se mbledhja e këtyre të dhënave nuk merret nga AKSHI, e-albania apo vende të tjera publike. Por nga KQZ, dhe kjo nuk është e paligjshme, me kushtin që të mos ndërveprojnë me institucionet shtetërore”, theksoi Dumani.

Në dorë, SPAK ka një çështje me shumë rëndësi.

“Hetimet kanë treguar për falsifikimin masiv të mijëra e mijëra metra katrorë tokë në një zonë shumë të preferuar të Durrësit. Janë sekuestruar deri tani rreth 600 mijë metra katrorë tokë”, u shpreh ai.

Altin Dumani iu përgjigj 65 pyetjeve të drejtuara me shkrim nga opozita, ndërsa mazhoranca socialiste u mjaftua me mbështetjen e pakushtëzuar që thotë se i jep Prokurorisë së Posaçme.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:18
‘Mua dhe Albanën na kërcënuan bandat’, Altin Dumani i përgjigjet Flamur Nokës: Nuk është kompetenca jonë...

 

Sipas Altin Dumanit, SPAK ka kryer rolin e tij në rastin e përplasjes së deputetëve Flamur Noka dhe Albana Vokshi, me atë që Partia Demokratike e quan “banda e Xhabaftëve”, në Vorë më 11 maj.

“Prokurori i ngarkuar që mbulonte Tiranën ka marrë kontakt direkt, ka qartësuar situatën dhe kemi verifikuar se nuk ishte kompetencë e jonë. Ne kemi deputetin subjekt të posaçëm, jo dhunën që ushtrohet ndaj një deputeti. Ne kemi verifikuar prokurorinë e Tiranës dhe i kemi kërkuar verifikimeve të shpejta”,- tha Dumani.

Ora 19:10
A ka hetime për ‘Thumanë-Kashar’?/ Dumani: Në verifikim, nga një hetim tjetër

 

I pyetur nga deputeti Agron Shehaj se a po heton SPAK mbi rregullsinë e procedurave të ndjekura për koncesionin e ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar, kreu i SPAK Altin Dumani, tha se po bëhen verifikime në kuadër të hetimit të një tjetër çështje penale.

“S’mund të jap informaciome se është në kuadër të verifkimit dhe hetimit të një tjetër çështje penale”,- tha Dumani.

Ora 19:05
‘Të përfituara përmes dokumenteve të falsifikuara’, Dumani: Kemi sekuestruar 600 mijë metra katrorë tokë në Durrës

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha nga foltorja e Kuvendit se në Durrës janë sekuestruar rreth 600 mijë metra katrorë tokë, të përvetësuara nga subjekte kriminale me anë të falsifikimit të dokumenteve.

“Falsifikim masiv të mijëra metrave katrorë tokë në një zonë shumë të preferuar të Durrësit, dhe vetëm në këtë procedim penal SPAK ka arritur të sekuestrojë rreth 600 mijë metra katrorë tokë, të përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara. Një skemë e mirëorganizuar e falsifikimit të dokumenteve”,- tha Dumani.

Ora 18:54
Pse SPAK e shmangu BKH në arrestimin e Metës? Dumani: Ekzekutimi i masës së sigurisë, është përgjegjësi e Policisë së Shtetit

 

Kreu i SPAK Altin Dumani gjatë përgjigjes së pyetjeve të deputetit të PL-së Tedi Blushi, se pse SPAK e shmangu BKH dhe i la dorë të lirë policisë, në rastin e arrestimit të presidentit të PL-së Ilir Meta, tha se ekzekutimi i masave është përgjegjësi e Policisë së Shtetit.

“Sepse Policia e Shtetit, është përgjegjëse për ekzekutimin e masave të sigurimit. E thashë edhe në përgjigje të pyetjeve të mëparshme nga disa deputetë’, tha Dumani.

Ndërsa sa i përket kalimit të dosjes së arrestimit të Metës nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës, Dumani tha se kjo dosje është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme.

“Sepse është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme. Është taksative dhe e qartë që nuk mund ta hetojmë ne atë vepër penale, por edhe subjektet e veprës penale nuk janë në kompetencë të SPAK’, u shpreh ai.

Ora 18:44
‘Fshehu dënimet nga drejtësia greke’, Dumani: Gjyqtarja Irena Gjoka është nën hetim

Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, është vënë nën hetim nga SPAK, pas akuzave të opozitës se ajo ka fshehur dënime të caktuara ndaj saj nga drejtësia greke.

“Kjo çështje është në hetim paraprak dhe është regjistruar si procedim penal në vitin 2025. Është çështje në hetim; është në vlerësim të prokurorit të konkludojë nëse ka vepër penale dhe më tej, nëse ka të ngrejë akuzë ndaj personit të kallëzuar. Sa kohë që është çështje në hetim, nuk jap shpjegim”, – tha Dumani në Kuvend.

Ora 18:40
Dumani: Po hetojmë për fondet IPARD, nuk përjashtohet asnjë i përfshirë

 

Altin Dumani tha sot në Kuvend se SPAK po heton abuzimet me fondet e IPARD. Ai theksoi se gjatë këtyre hetimeve po punohet ngushtë me OLAF.

“Ka regjistruar një procedim të tillë për fondet IPARD. Çështja është në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF”,- tha Dumani.

Pytjes se a po hetohet ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, për fondet IPARD, Dumani garantoi se “në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme”.

Ora 18:39
Aeroporti i Vlorës, Dumani: Çështje në fazën e hetimit paraprak

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi në Kuvend se çështja e aeroportit të Vlorës është në fazën e hetimit paraprak.

“Nuk jap shpjegime për çështje që janë në fazën e hetimit paraprak”, tha Dumani.

Ora 18:36
Dumani: Trendi i ekstradimeve ka qenë në rritje nga të gjitha vendet e Europës! Hetim për Arubën? Kreu i SPAK: S'kam asnjë koment

 

Kreu i SPAK Altin Dumani, u pyet nga deputetja e PD Elda Hoti nëse SPAK ka nisur hetime për persona të lidhur me krimin e organizuar që marrin koncensione. Dumani konfirmoi se SPAK ka nisur procedime lidhur me këta persona.

Ai tha se trendi i ekstradimeve, për shqiptarë që arrestohen jashtë vendit, është në rritje nga të gjitha vendet e Europës.

‘Detyra e SPAK është të regjistrojë procedim penale, të hetojë dhe të ngrejë akuza dhe nga ana jonë ky detyrim është i përmbushur, kemi masa sigurimi nga gjykata për grupe kriminale dhe prokuroria nuk i bënë gjë tjetër veçse të shpall masat e sigurimit dhe ti shpall në kërkim kur s’janë në Shqipëri. Po të shohësh trendin e ekstradimeve, ai është rritës nga të gjitha vendet e Europës po edhe nga Amerika Latine dhe nga Emiratet e Bashkuara.

Në 2024 numri i ekstradimeve për persona që janë kapur jashtë Shqipërisë dhe më pas janë ekstraduar këtu janë në rritje. Kështu e rëndësishme është që ti vësh para përgjegjësisë penale sepse duhet që të vuajnë pasojat e paligjshmërisë që kanë kryer’, tha ai.

 Dumani u pyet nga demokratja Elda Hoti edhe për dosjen Aruba. Në përgjigje Dumani u shpreh se nuk ka asnjë koment. 

'Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë pyetje', tha ai. 

Ora 18:32
‘Mos luaj me dy porta’, Dumani: Hetimi për kryebashkiakun e Vaut të Dejës nisi para deklaratës së  Ramës

Opozita e kishte pyetur Altin Dumanin edhe për hetimet e nisura ndaj kryebashkiakut të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli. Opozita i tha Dumanit se dy ditë pas deklaratës së Ramës, i cili i tha “kristian mos luaj më dy porta”, SPAK i shkoi tek dera Shkrelit. Por, Dumani theksoi se hetimi ndaj tij kishte nisur para deklaratës së Ramës.

“Procedimi penal ka nisur para këtij deklarimi dhe ky është një hetim i suksesshëm, ka bërë të mundur dërgimin për gjykim të kryetarit të bashkisë së vaut të dejës për korrupsion në zgjedhje”, tha Dumani.

Ora 18:22
‘Bandat e lidhura me Ramën shijojnë lirinë’, Dumani i përgjigjet opozitës: Urdhëarrestet i ekzekuton policia! Ja pse operacioni Ura u mor pas zgjedhjeve të 11 majit

 

Altin Dumani iu përgjigj akuzave të deputetit Flamur Noka se SPAK mbajti në sirtar urdhëarrestet për operacionin “Ura” me qëllim që të mos realizohej para zgjedhjeve të 11 majit. Nga ky operacion është ende në kërkim Visi i Pojës, por Dumani sqaroi se vendimi për të ekzekutuar masat me datë 21 maj është marrë në bashkëpunim me Barin.

“Ka qenë e skuadër e përbashkët hetimore mes nesh dhe Barit. Kemi bashkëpunuar me ta në hetimin e kësaj çështje hetim i suksesshëm kemi depozituar kërkesën që në datë 19 mars 2025 për masën e sigurimit. Vendimi i na është dhënë me 5.05.2025, më datë 7 maj jemi takuar me prokurorin e çështjes së antimafias së barit dhe disa hetues të DIA-s. Në atë takim u konkludua se si do ekzekutoheshin masat dhe kur”, tha Dumani.

Pyetjes se a ndihen përgjegjës përse bandat e lidhura me pushtetin shijojnë lirinë, Dumani ju përgjigj se është Policia e Shtetit ajo që ekzekuton urdhërarrestet.

“Përgjegjësia e një prokurori, se ke qenë edhe ministër i brendshëm, është të hetojë, grumbullojë prova të bëjë hetim të plotë, të ngrejë akuzë dhe të përfaqësojë akuzën në gjykim, në çdo rast kur prokurori merr vendim për caktim mase apo ekzekutim vendimi, i vetmi që bën prokurori është urdhër ekzekutimi dhe ja dërgon policisë së shtetit. Kur nuk gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë, prokurori investohet me një urdhër kërkimi ndërkombëtar. Kjo ka qenë praktikë që 25 vite që jam unë në prokurori”, tha Dumani.

Ora 17:59
Xibraka/ Dumani: Për Olsi Ramën nuk ka prova që e implikojnë në trafikun e drogës

Kreu i SPAK, Altin Dumani është përgjigjur pyetjes së deputetit Klevis Balliu lidhur me hetimet për vëllain e kryeministrit Rama, Olsi Rama.

Dumani tha se hetimet lidhur me atë çështje janë mbyllur pasi nuk janë gjetur provat që vërtetojnë përfshirjen e tij në trafikimin e lëndëve narkotike.

Balliu: Në këtë sallë me 140 deuterëve është njëri që quhet Taulant Balla, dikur ministër i Brendshëm. Në atë foltore në seancën penale të 4 prillit 2024 ka thënën: Unë e di kush është Tani. Ju a kishit qëllim ta identifikonit personin që kishte 10 vite që ishte personi i moshës 45 vjeç i paidentifikuar. Nëse kishit për qëllim ta identifikonit pse nuk thirrët Ballën për ta pyetur që tha publikisht këtë? Nëse Balla e di pse ju nuk e dini? Keni nisur ju një hetim për këtë?

Dumani: Kjo ka të bëjë me laboratorin e Xibrakës dhe Balliu i referohet një hetimit të SPAK për implikimin e mundshëm të Olsi Ramës në trafikim të narkotikëve. S{AK rifillo hetimet, kreu veprimet e nevojshme dhe në përfundim konkludoi me pezullim të hetimeve për shkak se nuk  u zbuluan autorët e veprës penale  dhe hetimet i kanë kaluar për ndjekje të mëntesjhe Policisë së Shteitt

Ora 17:56
Altin Dumani pyetet për Ballukun: Nuk komentoj çështje në hetim! Asnjë kërcënim ndaj prokurorit

Altin Dumani u pyet nga deputetë e opozitës për lajmet që qarkulluan në media për thirrjen e Belinda Ballukut në SPAK. Dumani tha se nuk ka për të dhënë asnjë koment dhe theksoi se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga prokurori Dritan Prençi për kërcënime.

Pyetje: Në media është raportuar për presion nga nivele të larta të ekzekutivit apo eksponentë të krimit të organizuar ndaj prokurorit të posaçëm Dritan Prenci lidhur me një çështje që përfshin zv/kryeminsitren Balluku. A ju ka njoftuar prokuroi mbi këto presione dhe çfarë masash keni marrë? E thotë Balluku kudo ku shkel, në fushatë mbledh vota duke ofruar mbrojtje nga SPAK në emrin tuaj

Dumani: Për çështje në hetim s’kam për të dhënë asnjë koment. Prenci dhe të gjithë prokurorët kanë të gjithë mbështetjen time dhe përkrahjen time si prokurorë të posaçëm. S’më ka paraqitur shqetësim për kërcënime për shkak të funksionit të tim ka mbështetjen time dhe solidaritetin tim në hetimin e çdo çështje dhe siç thashë jo vetëm Prençi.

Ora 17:53
Altin Dumani: Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me atë në Serbi dhe Mal të Zi, kemi thelluar bashkëpunimin me këto vende

 

Kreu i SPAK u pyet nga deputeti i PD, Besart Xhaferri, nëse kanë nisur hetime nga SPAK për bashkëpunim të krimit të organizuar në Serbi dhe Mal të Zi me krimin e organizuar shqiptar për trafikim të lëndëve nartkotike.

Dumani konfirmoi se krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin e organizuar në Serbi dhe në Malin e Zi kryesisht në trafikimin e kokainës. Ai tha se me këto vende është thelluar bashkëpunimi për të luftuar krimin e organizuar. 

Vizita ime në Malin e Zi në prokurorinë atje, ka qenë një ndër të mirat që kanë realizuar. Se çfarë është biseduar në këto takime ne kemi bërë një komunikim me median dhe s’mund të them asgjë më shumë se ajo që është thënë në media. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me prokurorinë e Malit të Zi dhe atë të Kosovës. Me Malin e Zi kemi bashkëpunim të mirë me hetime paralele dhe shkëmbim informacioni. Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin në Mal të Zi dhe me atë serb dhe mënyra më e mirë për ta luftuar është bashkëpunimi. Vizita e kryeprokurorit të posaçëm serb ishte nevojë për të bashkëpunuar sepse para këtij takimi bashkëpunimi ishte sporadik, ishte nevojë sepse krimi i organizuar shqiptarë bashkëpunon me atë serb për trafikimin e kokainës. Kemi vendosur bashkëpunim konkret për luftën kundër krimit të organizuar’, tha ai.

Ora 17:49
Dumani: Patronazhimi nuk është krim, penalizojeni me ligj dhe ndërhyjmë ne

 

Altin Dumani tha sot në Kuvend se Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapa hetues mbi vendimin e qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe është konkluduar me mosfillim të procedimit penal.

“Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Prokurori i çështjes e ka konkluduar me mosfillim procedimi penal. Nuk është ankimuar në gjykatë”,- tha Dumani.

Pretendimeve të deputetit Flamur Noka për rrjetin e patronazhimit të Partisë Socialiste, Dumani iu përgjigj se përsa kohë nuk ekziston vepra penale e korrupsionit aktiv apo pasiv, nuk mund të ketë ndërhyrje të SPAK.

“Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë”,- tha Dumani.

Për krimet zgjedhore, kreu i SPAK tha se është verifkuar çdo pretendim dhe kallëzim.

“Unë e kam përmendur edhe herë të tjera: SPAK ka verifikuar çdo pretendim të kallëzuesve. Në çdo rast, dhe ky ka qenë edhe objektivi i Task-Forcës së ngritur, verifikimet të bëheshin në kohë rekord, dhe ne kemi vendosur në 43 raste mosfillim procedimi penal. Nga 43 rastet janë ankimuar në gjykatë vetëm 3. Kryesisht këto kallëzime penale kanë pasur për objektiv punësimin e paligjshëm, asfaltin elektoral dhe përdorimin e administratës publike”,- tha Dumani.

Ora 17:48
Dumani: Masën e sigurisë ndaj Berishës mund ta heqë vetëm gjykata

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha nga foltorja e Kuvendit se dosja e aferës “Partizani”, që si të dyshuar kryesor ka Sali Berishën, është ndërtuar me hetime serioze dhe prova të qenësishme, dhe se këtë e vërteton fakti se çështja është pranuar nga GJKKO për t'u gjykuar.

“Ka kaluar edhe fazën e shqyrtimit të seancës paraprake. Gjyqtari i seancës paraprake ka verifikuar edhe akuzat dhe provat e grumbulluara nga SPAK dhe ka vendosur që çështjen ta çojë në gjykim në GJKKO. Gjithë këto pyetje dhe pretendime që ngre zoti Shtazimi i përkasin seancave gjyqësore që po zhvillohen në GJKKO”,- tha Dumani.

Se përse Berishës nuk i hiqet masa e sigurisë detyrim paraqitje, Dumani tha se një vendim i tillë merret vetëm nga GJKKO.

“Kjo masë sigurimi është caktuar me vendim gjykate dhe është gjykata që vendos shuarjen e masës së sigurimit”,- tha Dumani.

Ora 17:46
Berisha sulmon Dumanin: Lexoji pyetjet e plota! Kreu i SPAK i përgjigjet Boçit: Rama s’është i paprekshëm! Pretendimet e tua për blerje votash nuk ishin të sakta (VIDEO)

Momenti i leximit të pyetjeve dhe dhënies së përgjigjeve për deputetët në Kuvend nga ana e kreut të SPAK, Altin Dumani, është shoqëruar edhe me një moment tensioni. Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, që ka ndërhyrë në momentin që Dumani po përgjigjej për pyetjet e bëra nga opozita. 

Berisha i ndërpreu fjalën dhe iu drejtua kreut të SPAK që të jepte përgjigje pas çdo pyetje që lexonte dhe të mos i kalonte apo anashkalonte.

“Lexoji të gjitha, të plota dhe përgjigju! Cila është pyetja, një për një, të lexohet dhe jo kështu.  Lexohet njëherë pyetja e plotë dhe pastaj jepet përgjigja, nuk mund të bëhet kështu dhe hajt…”, u shpreh Berisha nga vendi.

Dumani e ka injoruar këtë ndërhyrje dhe ka vijuar me leximin e pyetjeve të shkruara nga deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Berisha: Një fjalë po një fjalë jo... të lexojë pyetjen zhdërvjelltas siç është pyetja, jo në këtë mënyrë që askush nuk merr vesh, përveç atyre që nuk kanë interes të marrin vesh.

Lucino Boçi: Pse SPAK e ka shpallur të paprekshëm Edi Ramën? Pse nuk mban ai përgjegjësi penale për disa çështje, p.sh. që ka miratuar në këtë Kuvend ligjet që ka shkruar ligjet që i ka shkruar Klodian Zoto.  Pra lideri i opozitës duhet të përndiqet prej 3 vitesh pse ka miratuar ligjin për kthimin dhe kompensimin e prkanve, se një nga mijëra përfituesit është dhëndri i tij, gjëja më normale në botë. Edhe ne deputetët miratojmë pagat tona, çfarë domethënë kjo? Meqë përfitojmë dhe në duhet të ndiqemi për korrupsion? Ndërsa Edi Rama që miraton ligje për llogari të vetëm një afere korruptive, dhe sipas jush, siç është afera e inceneratorëve që ia shkruan përfituesi Klodian Zoto dhe nuk ka asnjë përgjegjësi penale?

Dumani: Për SPAK nuk ka të paprekshëm. Në çdo procedim penal hetohet në drejtim të veprës dhe më pas të autorit. SPAK kryen hetim të gjithanshëm,. Për prokurorët e posaçëm nuk kanë rendësi emrat por provat.

Boçi: A e keni dëgjuar ultimatumin e Ramës që SPAK mos të guxojë të dalë në terren dhe t’i afrohet partive politike në fushatë? Nëse nuk ishit në t

Dumani: SPAK ka qenë në terren dhe në zonën që ju keni drejtuar politikisht dhe ju e dini shumë mirë sesa e vëmendje ka qenë SPAK dhe nga denoncimet publike. Pas një denoncimi je kontaktuar nga gjetët ë e BKH dhe të është bërë e ditur, je ftuar të japësh të dhëna apo të bësh kallëzim lidhur me atë që kishe denoncuar. Në të njëjtën kohë, hetuesit e BKH-së bënë verifikimet për pretendimet tuaja dhe nuk rezultoi që të ekzistonte ajo situatë e paraqitur në denoncim. SPAK ka qenë pothuajse në të gjitha rrethet duke marrë kontakt me përfaqësues politikë e qytetarë.

 Boci: Ju sot thoni që nuk keni ende prova për zgjedhjet. Po paritë politike përce indiceve, çfarë tjetër mund të sjellin? Dini gjë që kemi shërbime hetimore apo policë, apo mund të përgjojmë apo kontrollojmë ambiente të caktuara.

Dumani: Ne kërkojmë që partitë politike dhe drejtuesit politik të ngrihen në nivelin ne qytetarit të cilëve u kërkohet që në rast se janë në dijeni të krimit ta kallëzojnë. Sa i takon hetimeve dhe zonës që keni mbuluar, ka disa procedime që vazhdojnë dhe po kryhen hetime me qëllim evidentimin e autorëve përgjegjës.

Boçi: një nga krimet më të mëdha të pazbardhura, është kanalizimi i vendit në vitin 2016-2017 e në vazhdim. A keni filluar një hetim për këtë krim me autor kryeministrin e Shqipërisë?

Dumani: Jo nuk kemi filluar një procedim penal të tillë.

Ora 17:45
A i keni neutralizuar 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale në vend? Ja si përgjigjet Altin Dumani

 

Një nga pyetjet që iu bë Altin Dumanit në Kuvend ishte një deklaratë e Donald Lu se në vend ekzistojnë 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale.

Partitë bënë kallëzime, por nuk sollën prova. Çfarë mund të sjellin tjetër partitë veç indicieve?

Dumani: Ne kërkojmë që të ngriheni në nivelin e qytetarëve që kur viheni në dijeni të një krimi, ta kallëzoni. Në zonën tuaj zoti Boci kemi disa hetime që po kryhen.

Një nga krimet më të mëdha të pazbardhura është kanabizimi i vendit. A keni filluar një hetim konkret me autor kryeministrin?

Jo nuk e kemi filluar.

Ish-ambasadori Lu deklaroi se në Shqipëri ekzistonin 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale. A keni sot një rezultat konkret se cilën familje keni neutralizuar?

Dumani: Sa i takon rezultateve të prokurorisë së Posaçme, një ndër gjërat për të cilat duhet të ndihemi krenarë është lufta kundër krimit të organizuar. Falë bashkëpunimit me asgjensitë partnere,e Britaninë, SHBA, vendet e Amerikës Latine, kemi bërë hetime të suksesshme me të cilat mburremi edhe në EuroJust. Kemi bashkëpunuar me agjencitë partnere që na kanë besuar. Ky besim nuk është apriori. Kam dëgjuar që bëhet krahasim mes SPAK dhe Krimeve të Rënda. Kam qenë pjesë edhe atje, jam krenar. U jap vetëm një shifër, nga 2004-2019 nga Krimet e Rënda janë trajtuar 780 subjekte. Në 5 vite SPAK e ka tejkaluar këtë shifër.

Ora 17:33
Dumani: Deklaratat e Ahmetajt vlerësohen rast pas rasti! SPAK i gatshëm për bashkëpunim

 

Në përgjigje të pyetjes së deputetes Jorida Tabaku, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se deklaratat në distancë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili pretendon se po zbulon afera të ndryshme, vlerësohen rast pas rasti.

“Deklarimet publike vlerësohen rast pas rasti, për një person që sot është në kërkim ndërkombëtar”,- tha Dumani.

Kreu i SPAK, theksoi gatishmërinë e SPAK për bashkëpunim me Ahmetajn, me statusin e të penduarit drejtësisë, për zbërthimin e aferave që ai pretendon.

Ora 17:29
Në dhjetor i mbaron mandati si drejtues i SPAK, Dumani në Kuvend: Unë nuk dorëzohem

Altin Dumani u pyet nga deputetja demokratë Jorida Tabaku nëse deklarata e tij që s’do të rikandidojë më si prokuror i SPAK tregon dorëzimin përballë presioneve.

Pyetja: Në fund të rrugëtim tuja si prokuror, por edhe në mandatin tuaj të fundit si kreu i SPAK, a është dorëzim përballë presioneve dhe pamundësisë për të hetuar korrupsionin dhe krimin?

Dumani: S’ka të bëjë fare. Unë nuk dorëzohem, nuk jam njeri që dorëzohem, ju bëj ballë sfidave, unë do vazhdoj të jem prokuror i republikës së Shqipërisë po na la zoti jetë. I kam kërkuar disa herë kuvendit të shqyrtojë mundësinë e rishikimit të mandatit të prokurorit të posaçëm dhe jo në pak raste është aluduar se bëj për interesin tim personal, nëse politika e kushtëzon apo ka mendim se zgjatja e mandatit lidhet me emrin tim, unë nuk rikandioj. Kennedy ka thënë se lavdia e drejtësisë dhe madhështia e ligjit nuk krijohen vetëm nga kushtetuta por burra dhe gratë që i jetojnë ata me guxim. E ndjek punën, kam guximin, por përpiqem të jem i mirëkuptueshëm. Kjo thënie vlen për të gjithë prokurorët e posaçëm.

Ora 17:27
Dumani: Për 3 inceneratorët kemi hetuar 71 persona deri tani! Po Veliaj? Hetimet vijojnë

 

I pyetur nga deputetja Jorida Tabaku se cilat janë veprimet e SPAK lidhur me çështjen e 3 inceneratorëve, atë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, Altin Dumani tha nga foltorja e Kuvendit se Prokuroria e Posaçme ka hetuar në kuadër të këtyre 3 procedimeve penale, 71 persona.

“Po hetohet edhe për fakte penale dhe persona të tjerë, për t’i trajtuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Lidhur me inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit, këto dy procedime penale kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjyqësor dhe i kanë gjetur një drejtë kualifikim ligjor të gjetur nga SPAK”,- tha Dumani.

Nëse kryebashkiaku Erion Veliaj po hetohet për inceneratorin e Tiranës, Dumani u përgjigj se hetimet vijojnë ende.

“Dua të them se, siç ju e dini, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar për këto procedime penale”,- tha Dumani.

Ora 17:07
Dumani në Kuvend: 48 të proceduar për krime zgjedhore! Pasuritë e sekuestruara, mbi 65 milionë euro

 

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend, tha se rreth 65.5 milionë euro pasuri, të cilat dyshohet kanë ardhur nga veprimtari kriminale, janë sekuestruar dhe konfiskuar gjatë vitit 2024.

“Tregues pozitiv paraqet edhe numri i procedimeve penale për pastrim të produkteve të veprës penale. Krahasuar me vitin 2023, kjo rritje është me 34%. Vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara është 65.5 milionë euro. Për veprat penale që lidhen me krimet zgjedhore janë 43 procedime penale dhe 7 persona nën hetim.

Lidhur me procedimet e nisura me referime nga qytetarët, krahasuar me vitin 2023 kemi rritje 27%. Numri i të paraburgosurve nga SPAK përbën 9.7% të totalit të paraburgimeve në Shqipëri. Masa e sigurimit “arrest me burg” është aplikuar për 263 persona, nga të cilët 12% janë për persona të dyshuar të krimit të organizuar.

46 raste, ose rreth 40% e rasteve të personave nën hetim për vitin 2024, janë zhvilluar pa masë sigurie.

Gjatë vitit 2024 janë ekzekutuar 79 vendime penale të formës së prerë. Nga të dënuarit, 162 me burgim, 32 me gjobë…

Në vitin 2024 SPAK ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të 107 personave.

Numri i çështjeve në SPAK u rrit me 13% krahasuar me vitin pararendës.

SPAK ka marrë pjesë në 6094 seanca gjyqësore në GJKKO.

Është dhënë vendimi për ndalim të funksioneve publike, për 35 persona fizikë dje juridikë. Drejtuesi i SPAK ka vendosur 12 kërkesa për mbajtje në regjim të posaçëm. Në 2024, janë miratuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, 41 ekstradime. Rreth 34 përqind e personave të hetuar janë dërguar për gjykim”,- tha ndër të tjera Dumani.

Ora 17:01
Raporti vjetor i SPAK, Dumani: Ka pasur rritje të efektivitetit të hetimeve! Rritje me 60% e aseteve kriminale të konfiskuara në krahasim me vitin 2023

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani në pasqyrimin e veprimtarisë për vitin 2024, ka theksuar rritjen e efektivitetit të SPAK lidhur me çështjet nën hetim dhe për masat e sigurisë.

Dumani thekson se trajnimet ndërkombëtare , shtimi i ekspertizës së BKH-së dhe rritja e numrit të prokurorëve, solli rritje të efektivitetit hetimor.

Ndër të tjera, Dumani thekson se për çdo çështje është aplikuar standardizimi i ndjekjes penale, duke u ndjekur parimi i ligjshmërisë dhe proporcionalitetit.

“DAP ka nënvizuar disa na hetimet e suksesshme të SPAK. Për rekomandimin për forcimin e hetimeve dhe dënimin e korrupsionit, gjatë 2024, rritja e numrit të prokurorëve nga 17 në 20, shtimit i ekspertizës BKH-së  dhe rritja  e trajnimeve ndërkombëtare, solli rritje të efektivitetit të hetimeve. U reflektua me rritjen e 80% të çështjeve nën hetim dhe me 20% të numrit të personave të hetuar në raport me vitin 2023.

Hetimet financiare, në nëntor 2024 u miratua udhëzimi i përgjithshëm për hetimet, i cili standardizon hetimet financiare dhe zhvillon ato paralelisht ato me hetimin penal. U intensifikuan sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale me një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2023.

Standartizimi i ndjekjes penale, SPAK ka marrë të gjitha masat për aplikimin e njëjtë të standardeve procedurale dhe të gjitha garancive ligjore gjatë procesit të hetimit paraprak, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetin.

Vetëm 9.7% e totalit të numrit të paraburgosur, janë persona nën hetim nga SPAK, duke shmangur abuzimin e me masat më të rënda të sigurisë”, tha Dumani.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • populli: 27/10/2025 22:10

    PERPARA DUMAN,,,,MOS LI HAJVAN E HAJDUT PA FUTUR NE BIRUCE...MOS KI FRIKE SE KE ME VETE POPULLIN SHQIPTAR...,,PER CDO GJE THIRR POPULLIN SHQIPTAR ,,..MOS LE BIR KURVE PA FUTUR ATY NGA KA DALE.....

    Përgjigju
  • Miku: 27/10/2025 20:20

    Tw thuash qe Ahmetaj eshte i mirepritur, pse, ne dasme.po e fton?

    Përgjigju
  • zda: 27/10/2025 19:12

    Asnje pyetje nga socialistet pse nuk ka arrestime nga SPAK per vrasjet e 21 Janarit.Asnje pyetje pse nuk ka arrestime per Gerdecin.Legena qe merrni voten dhe nuk keni guxim te beni as pyetje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?