Punësimi i të rinjve mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Një nismë e re për punësimin e të rinjve ka nisur pas bashkëpunimit mes ambasadës së Zvicrës, zyrës së UNDP-së dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Nisja e programit u përshëndet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

“Arsimi profesional përbën një nga elementet thelbësore të modelit të ri ekonomik ndaj edhe kjo qeveri e ka kthyer në prioritet të rëndësisë së veçantë këtë sektor të arsimit dhe ne sapo kemi përfunduar një reformë të thellë, e cila sapo ka nisur të japë rezultatet e para, por që prapë se prapë, do duhen vite derisa të japë rezultatet e plota. Projekte si ky që po lançojmë sot, në këtë kuadër, na japin një ndihmesë shumë të rëndësishme dhe jo vetëm duke duke garantuar punësim për gratë e burrat shqiptarë. Në rradhë të parë, projekte të tilla na japin mundësinë të shohim sistemin dual në veprim, një sistem që i shpëtoi vendet si Zvicra apo Gjermania nga kriza ekonomike dhe një sistem drejt të cilit ne po përpiqemi të shkojmë”, tha ministri Veliaj.

punesimi

"Arsimi profesional dhe zhvillimi i aftësive nuk janë më koncepte të huaja në kontekstin e Shqipërisë. Në fakt ato janë alternativat e vërteta dhe të nevojshme, që premtojnë për të përmirësuar perspektivat e punësimit veçanërisht për të rinjtë", tha Ambasadori Zviceran Shkëlqesia e tij, Christoph Graf.

Ai përmendi se trajnimet dhe mundësitë për punësim janë parësore për të rinjtë e Shqipërisë, për shkak të moshës mesatare të re të vendit, aftësive të të rinjve për t’iu përshtatur ndryshimit e për të përqafuar të renë dhe nevojës për ekspozim të hershëm ndaj aftësive dhe punësimit, si një mënyrë për të përmirësuar jetën.

punesimi

Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuesja e UNDP-së, Zineb Touimi-Benjelloun theksoi se të rinjtë dhe punësimi i të rinjve kërkojnë përpjekje të përbashkëta të institucioneve të ndryshme dhe të shumë aktorëve.

punesimi

"Programi i paraqitur sot i vë të rinjtë dhe punësimin e të rinjve në qendër të tij. Sfida për punësimin e të rinjve është shumëdimensionale. Prandaj ky program kërkon gjithashtu nivele të shumta ndërhyrjeje", tha Benjelloun. Programi "Zhvillimi i aftësive për punësim” synon të rrisë mundësitë e punësimit për vajzat dhe djemtë e rinj, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale të Shqipërisë. 




Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)