Një punëtor 57-vjeçar, me inicialet Sh.B, humbi jetën të shtunën në Durrës, pasi ra nga lartësia gjatë punës në fasadën e një pallati në ndërtim në lagjen nr.5 të qytetit. 

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, që ka nisur një hetim ndaj drejtuesit teknik të firmës së ndërtimit, Agim Strefi, i cili është proceduar në gjendje të lirë.

Sipas burimeve zyrtare, Strefi punon pranë kompanisë Braka Construction. Verifikimet paraprake kanë treguar se kushtet teknike të sigurisë në kantier kanë qenë në rregull, ndërsa ekspertët pritet të kryejnë një kontroll të dytë për të përcaktuar shkaqet përfundimtare të aksidentit.

"Drejtoria Vendore e Policisë Durrës referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
A. S., banues në Durrës, drejtues teknik i një firme ndërtimi në Durrës, pasi ditën e djeshme, në lagjen nr. 5, te pallati ku punonte, ka rënë nga lartësia shtetasi Sh. B., 57 vjeç, banues në Durrës, i cili, për pasojë, ka humbur jetën", thuhet në njoftimin e policisë.