Bllokimi i segmentit te autostradës Vorë-Maminas, në të cilën po kryhen punime, ka bërë që në aksin dytësor të krijohet trafik kilometrik.

Konkretisht nga kryqëzimi i Budullës, (afër Fushë-Krujës), e deri në Maminas vargu i mjeteve është i pandërprerë për rreth 15 kilometra.

Policia ka njoftuar se, punimet kanë krijuar trafik të rënduar në disa zona brenda Tiranës, ndërsa i është bërë apel shoferëve që të përdorin rrugë alternative.

'Për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës TiranëDurrës, për arsye punimesh, të njoftuar me datë 10.10.2025, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.

Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në lëvizje', thuhet në njoftim. 

Ndërkohë, mbyllja e segmentit të autostradës Vorë- Durrës, ka shtuar fluksin e mjeteve edhe në aksin Tiranë- Elbasan. Gjatë këtyre ditëve qindra mjete kanë kaluar nga Elbasani në drejtim të jugut, ndërsa ky fluks mjetesh ka sjell edhe trafik të rënduar në hyrje-dalje të Elbasanit.

ARRSH njoftoi pak ditë më parë se punimet do të zgjasin 1-2 ditë. Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit-Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:09
Mbyllja e segmentit të autostradës Vorë- Durrës, krijohet trafik i rënduar në hyrje të Elbasanit (VIDEO)

 

Mbyllja e segmentit të autostradës Vorë- Durrës, ka shtuar fluksin e mjeteve edhe në aksin Tiranë- Elbasan. 

Gjatë këtyre ditëve qindra mjete kanë kaluar nga Elbasani në drejtim të jugut. Ky fluks mjetesh sjell për pasojë edhe trafik të rënduar në hyrje-dalje të Elbasanit.

Në këto kushte kërkohet edhe mirëkuptimi i qytetarëve për t'i dhënë përparësi investimeve në infrastrukturën rrugore që po kryhen në segmentin Vorë- Durrës.