Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi angazhimin e ndërmarrjeve të bashkisë për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve. “Më vjen mirë që kemi zgjidhur një nga shqetësimet më të mëdha të komunitetit. Në aplikacionin “Tirana Ime” kjo rrugë ka qenë një nga rrugët më të denoncuara si problematike. Pas Rrugës së Kosovarëve, hapim dy arteriet kryesore që lidhin Tiranën me pjesën e Digës së Liqenit, e cila sot është bërë jashtëzonisht tërheqëse për shkak edhe të këndit të lojërave për fëmijë”, tha Veliaj. Ai ftoi qytetarët që nën shembullin model të rrugës “Sami Frashëri”, të ndihmojnë ndërmarrjet e bashkisë për të liruar trotuaret ku bashkia të mund të investojë.
“Ky është qyteti i të gjithëve, edhe i njerëzve me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për rampa, edhe i të moshuarve, që kanë vështirësi në lëvizje. Ky është një qytet demokratik, që përshtatet për të gjitha grupmoshat dhe nevojat që ka qyteti. Ndaj dua t’i ftoj qytetarët që ta mirëmbajnë dhe të raportojnë sa herë bllokohen rrugët apo trotuaret”, shtoi ai. Veliaj solli në vëmendje se u rikthye në këtë zonë pas një viti me premtime të mbajtura. “Kthehemi në këtë rrugë fiks një vit nga zgjedhjet, kur u kemi premtuar qytetarëve se do të vazhdojmë me investimet. Më vjen mirë që 1 vit pas zgjedhjeve e mbajmë fjalën. Kjo do të thotë se shumë punë të mira mund të bëhen edhe me mundësitë që kemi, kur qytetarët paguajnë taksat dhe kur ato iu kthehen në të mira materiale dhe në investime”, pohoi ai.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se njësia 5 është shembull me pagesat e çdo takse apo detyrimi ndaj bashkisë dhe bashkia i është përgjigjur me të njëjtin angazhim çdo nevoje që ka kjo zonë për investime. Ai shtoi më tej se një tjetër investim i rëndësishëm në këtë zonë janë edhe katër fushat sportive, të cilat do të jenë kryesisht në shërbim të shkollës “Petro Nini Luarasi”. Por, pas orëve të mësimit, duke qenë se shkolla është pjesë e projektit të shkollave komunitare, do të shërbejnë edhe për banorët e zonës. “Investimet do të vazhdojnë në drejtim të Digës së Liqenit ku jo vetëm do të vazhdojmë me prishjet e ndërtimeve pa leje, por shumë shpejt do të fillojmë me pistën e çiklizmit dhe pistën e vrapit, për t’u siguruar që Tirana, sidomos kjo lagje që është më afër Digës dhe Liqenit, të ketë të gjitha lehtësirat për të pasur një jetë cilësore dhe një jetë që ka në fokus sportin dhe aktivitetet në natyrë”, deklaroi ai.
Ndërsa, deputeti i PS, Pandeli Majko, vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për investimet e bëra në njësinë 5, të cilat u vijnë në ndihmë fillimisht këmbësorëve, por edhe qytetarëve që lëvizin me makina. “Kush ka kaluar tek “Petro Nini” e kupton shumë mirë se çfarë ka ndryshuar dhe po ndryshon. Ka qenë një gjë shumë e rëndësishme për të kuptuar një fakt: këtu jetohet si në perëndim, por ambienti ishte si në Kandahar. Një ndryshim kaq thelbësor që është bërë nga Bashkia e Tiranës nuk ka nevojë për fjalë të tepërta. Mendoj se në vazhdim po bëhet një punë e mirë”, theksoi Majko.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)