KOPLIK – Qytetarët e Koplikut po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, për shkak të punimeve në rrugën kryesore të qytetit.

Mësohet se gjatë ecurisë së punimeve, janë dëmtuar lidhjet dhe tubacionet e ujit të pijshëm, ndërsa ndërmarrja e ujësjellësit nuk ka reaguar ndaj këtij problemi.

Gjithashtu, as nga përfaqësuesit e institucioneve në këtë rreth nuk ka pasur asnjë reagim.

Mungesa e ujit është në tre lagje kryesore të vendit, situatë e cila i ka detyruar qytetarët të dynden çdo mëngjes për të siguruar sado pak rezerva uji pranë çezmave të lidhura me pus, ndonëse familjarët japin alarmin se dhe këto burime janë drejt shterjes.

Sipas qytetarëve, faturimi për ujin e pijshëm është i padrejtë, pasi ata paguajnë për një shërbim që sipas tyre, mungon prej kohësh.

Më herët banorët janë furnizuar nga burimi i Rrjollit në Malësi të Madhe, ndërkohë që tani kjo shpërndarje është ndarë mes 3 fshatrash duke reduktuar ndjeshëm furnizimin.
(eb/gm/Shqiptarja.com)