Zgjerimi i rrugës së Elbasanit duhet të ishte shoqëruar më parë me një leje mjedisore. Por në të vërtetë, bashkia e Tiranës ka dhënë lejen dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punimet pa u pajisur më parë me një leje të tillë, që vlerëson ndikimin që do të ketë ky projekt në mjedis. Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja që Agjencia Rajonale e Mjedisit ka ndëshkuar me gjobë në vlerën e 1 milionë lekëve të reja, drejtorinë e përgjithshme të rrugëve që po kryen edhe punimet për zgjerimin e rrugës. Por duket se kjo është e vetmja masë që është marrë, pasi pavarësisht se nuk kanë një leje mjedisore, punimet në këtë segment vazhdojnë, punime të cilat janë denoncuar dhe kundërshtuar nga ambientalistët ngaqë kanë prekur sipërfaqen e gjelbërt. Sipas ministrisë së Mjedisit, është ngritur komision që do të shqyrtojë lejen mjedisore pas kërkesës së mbërritur disa ditë më parë për t'u pajisur me një leje të tillë. "Nuk është marrë leje mjedisore nga Bashkia e Tiranës dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, por është bërë aplikimi për t'u pajisur me leje mjedisore nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit. I është vënë gjobë drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Tirane, në dt 06.06.2012, bazuar në pikën 1B, neni 83, të ligjit nr.8934 të vitit 2002", - na sqarojnë pranë ministrisë së Mjedisit. Ndërsa sa i përket komisionit, na thonë se atij i duhet e gjithë koha e nevojshme për të vlerësuar lejen mjedisore. Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është shoqëruar me debate të forta, pasi për hapjen e saj jo vetëm që janë prerë rreth 200 pemë të parkut Kombëtar, por ai prek edhe një pjesë të varrezave të Dëshmorëve si dhe do të spostojë murin rrethues të Pallatit të Brigadave, që ambientalistët e cilësojnë monument kulture të kategorisë së parë.
Leja mjedisore
Të gjithë bizneset që kanë ndikim në ambient duhet të pajisen me leje apo autorizim mjedisor, në varësi të madhësisë së ushtrimit të aktivitetit dhe ndikimit që kanë në mjedis. Në mungesë të këtyre lejeve, bizneset janë në kundërshti me ligjin dhe nuk mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Për marrjen e një lejeje të tillë, subjektet fizike apo juridike duhet të paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Licencimeve (QKL) një kërkesë, ku të jetë bashkëngjitur regjistrimi i aktivitetit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve (QKR). Në kërkesë, subjekti duhet të përshkruajë objektin ku do të zhvillohet veprimtaria, projektin teknik për llojin e veprimtarisë si edhe kohëzgjatjen e orarit të punës që do të zbatohet. Gjithashtu, duhet të ketë dhe vlerësime të niveleve të ndotjes mjedisore që do të shkaktohet, të matura nga Instituti i Shëndetit Publik. Por plotësimi i dokumenteve për marrjen e lejes mjedisore nuk përfundon me kaq. Subjektit i nevojitet mendimi i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore për zhvillimin e aktivitetit, një procesverbal ku tregohet se është marrë mendimi i banorëve të zonës për zhvillimin e veprimtarisë dhe një deklaratë zotimi nga ana e subjektit për respektimin e orareve të qetësisë publike. Pas dorëzimit të dokumentacionit, QKL ia kalon kërkesën drejtorisë së mbrojtjes të mjedisit, e cila brenda dy ditëve duhet ta kalojë kërkesën elektronikisht pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit në qarkun përkatës. Tri ditë zgjat verifikimi i objektit nga agjencia rajonale, më pas hartohet relacioni me vlerësimet përkatëse dhe merret vendimi për lëshimin ose jo të lejes. Për autorizimin mjedisor, afati i vlerësimit varion nga 3 deri në 4 javë kalendarike. Për lejen e integruar mjedisore afati është 5 javë. Agjencia Rajonale e Mjedisit njofton njësinë vendore për vlerësimin, e dërgon vendimin në Drejtorinë e Mbrojtjes së Mjedisit, e cila nga ana e saj paraqet rezultatin pranë QKL-së. Vetëm kështu subjekti mund të pajiset ose jo me një leje mjedisore për të ushtruar aktivitetin e tij.
/Shqiptarja.com