Punimet për zgjerimin e rrugës së Elbasanit kanë nisur pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Fakti është pranuar dje nga vetë kreu i bashkisë, Lulzim Basha, i cili ka pranuar se punimet kanë nisur me një shpejtësi të beftë edhe për të, dhe çështja e lejes është një çështje që mbetet pezull mes bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH-së. Kështu, pas më shumë se një muaj apeli të shoqërisë civile, për zbardhjen e asaj se çfarë po ndodh me zgjerimin e Rrugës së Elbasanit dhe çfarë po ndodh realisht në këtë segment, kreu i Bashkisë, Lulzim Basha u ka dhënë përgjigje pyetjeve të dy ambientalistëve të njohur që ishin ftuar nga vetë kryebashkiaku Basha.

Artan Lame dhe Xhemal Mato, pasi kanë bërë një pasqyrë të të gjithë dyerve ku ata kanë trokitur por nuk kanë mundur të marrin përgjigje për shqetësimin e tyre, megjithëse, sipas tyre edhe vetë kryeministri i ka mbështetur dy herë publikisht, kanë kërkuar sqarime pse punimet kanë nisur pa leje mjedisore dhe përse projekti nuk bëhet publik. Basha u ka dhënë përgjigje të gjithë këtyre pyetjeve duke garantuar se Pallati i Brigadave jo vetëm nuk do të preket, por madje ai do restaurohet.

"Që prej një muaji ne kemi bërë publik shqetësimin tonë për punimet që po kryhen te Rruga e Elbasanit. Është spastruar një pjesë e mirë e kësaj sipërfaqeje, përfshi edhe një pjesë të madhe që nuk ka fare lidhje me zgjerimin e rrugës. Ne kemi trokitur në bashkinë e Tiranës, në ministrinë e Mjedisit, madje kemi kërkuar edhe ndihmën e trojkës së ambasadorëve për të ditur se çfarë po ndodh, pasi edhe vetë bashkia nuk është e qartë. Fillimisht tha se projekti do të ishte me 6 korsi dhe më pas u tha se është me 4 korsi.

Një ditë më parë, ministria e Mjedisit na vuri në dijeni se ka gjobitur me 1 milionë lekë të reja drejtorinë e përgjithshme të rrugëve. Por ne duam të dimë se cili është projekti dhe çfarë do të ndodhë në këtë segment", - ka deklaruar Lame. Basha ka shpjeguar edhe procedurën që është ndjekur. "Projekti, pasi ka kaluar në Këshillin teknik të Bashkisë së Tiranës i është dërguar sipas procedurave, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që është krahu zbatues i projekteve të infrastrukturës rrugore në Republikën e Shqipërisë. Sipas ligjit, kjo drejtori e përgjithshme e rrugëve ka hapur tenderin për ndërtimin e rrugës, bazuar mbi projektin që është miratuar po kështu në Këshillin Teknik të Rrugëve. Tenderi është zhvilluar on-line. Pretendimi se kjo është mbajtur fshehur, se ka diçka sekrete, se ka një projekt që në një mënyrë apo në një tjetër i është fshehur vështrimit qytetar nuk qëndron për këtë fakt të thjeshtë, sepse projekti ka qëndruar 45 ditë i afishuar në internet", - ka deklaruar Basha. "Ka një problem dhe këtë problem ju e keni konstatuar drejt: shpejtësia me të cilën është lëvizur për të nisur punimet ishte e beftë edhe për ne. Edhe unë e mora vesh nga shtypi se punimet kishin filluar", - ka deklaruar Basha.

Ndërsa këmbënguljes së ambientalistëve se ku është leja ai është përgjigjur se "Çështja e lejes është një çështje që qëndron pezull midis bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH-së", - duke pranuar kështu se punimet kanë nisur pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Më poshtë Basha ka deklaruar se çdo pemë e prerë do të 10-fishohet dhe se projekti për zgjerimin e rrugës së Elbasanit prek vetëm 9 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbërt. Ai ka premtuar restarurim për Pallatin e Brigadave.

"Nuk do të ketë asnjë dëmtim të kësaj trashëgimie të rëndësishme të viteve '30-'40 dhe zhvendosja do të bëhet me parametra të plotë dhe madje do të rehabilitohet, dhe projekti do ta nxjerrë në dritë më shumë dhe nuk do të prishim asnjë trashëgimi të qytetit tonë", - ka përfunduar Basha

(ek/shqiptarja.com)