Baza ajrore ushtarake e Kuçovës e ndërtuar në 1952 për t’i shërbyer Traktatit të Varshavës tashmë është kthyer në bazë të NATO-s dhe pritet te inaugurohet me 4 Mars. Një ndër pilotët legjendare që shërbeu për 27 vite, Viktor Vangjeli thotë vendosja e bazës në funksion e kthen Shqipërinë në një pikë strategjike të rajonit.

“Ky aerodrom i plotëson të gjitha parametrat për të qenë bazë e NATO-s. Pozicioni i bazës dhe i vendit tonë është më së miri përshtatshëm për të qenë një bazë ajrore ushtarake. Është gjë e mirë dhe për ne për të qënë një bazë e përbashkët”.

Për Report TV, ish-piloti tregon me nostalgji, jetën më shumë në ajër se sa në tokë. 

“Shkollën për pilot e mbarova në Kinë. Erdha në 1963 këtu në bazën ushtarake të Kuçovës. Regjimenti me tre skuardrilje Mig 15, Mig 17. Unë isha pilot gjuajtës deri sa dola në pension në 1990. Kam ndenjur si komisar 12 vite ende dhe sot unë kam nostalgji për këtë bazë u lidha shumë nga dita parë kur erdha. Isha 22 vjeç e punova derisa dola pension ne vitin 1990. Ndërsa baza ka vijuar të funksiononte deri në 2005”.

Vangjeli tregon si funksiononte ky regjiment në komunizëm dhe për çfarë shërbente.

“Një regjiment i kompletuar ka qenë në bazën e Kuçovës Mig 15 dhe Mig 17. Piloti përgatitej një ditë dhe të nesërmen fluturonte. Tre herë në javë katër herë në javë dy herë në javë varej nga kushtet dhe planifikimi, në qoftëse do fluturoje natën do të fluturoje katër ditë rresht natën të mbaroje programin se natën fluturoje nga Prilli deri në Tetor. Kjo varej nga sasia e fluturimit dhe planizimit dhe koha.  Këtu ka patur avionë Mig15, Mig17 dhe Mig19 supersonik kurse në Rinas dhe Gjadër ka patur dhe Mig 21. Kanë qenë avionë gjuajtës bombardues përdoreshin për kapjen e avionëve në ajër dhe për bombardim me bomba objekteve tokësorë. Si kudo edhe ‘97 ka patur këtu rrëmujë por nuk u prekën avionët”.

Përpos aerodromit regjimi komunist kishte ndërtuar tunele dhe uzinë për avionët ushtarakë.

“Ne kemi patur uzinë për mirëmbajtjen e avionëve. Një avion nëse 10 ditë nuk fluturonte shkonte në bazën e riparimit duhej të kontrollohej pastaj duhej të dilte në fluturim. Ne kemi pasur tunele ku kemi mbajtur 100 avionë”.

Nga 4 marsi Shqipëria do të bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor në të cilin NATO do të ketë bazën e saj ajrore taktike në Kuçovë.  Baza do te përdoret për stërvitjet dhe operacionet e Aleancës.