Qytetarët europianë po nxiten gjithnjë e më shumë të ndryshojnë sjelljen për shkak të krizës së energjisë e cila ka shpërthyer si pasojë e luftës në Iran. Të martën mbrëma Komisioneri për Energjinë në Bashkimi Europian, Dan Jorgensen, u bëri thirrje europianëve që të punojnë nga shtëpia aty ku është e mundur dhe të ulin shpejtësinë në autostrada.
Deklarata u bë pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të ministrave të Energjisë të BE-së, ndërsa kriza në Ngushticën e Hormuzit po thellohet për shkak të përshkallëzimit në Lindjen e Mesme.
“Edhe nëse paqja vjen nesër, nuk do të kthehemi në normalitet në një të ardhme të afërt”, tha Jorgensen para gazetarëve.
Ai theksoi se sa më shumë të kursehet nafta, sidomos dizeli dhe karburanti për avionë, aq më mirë do të jetë situata.
Komisioneri u kërkoi gjithashtu vendeve anëtare të ndjekin rekomandimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Këto rekomandime përfshijnë: punën nga shtëpia kur është e mundur, uljen e kufijve të shpejtësisë në autostrada me 10 kilometra në orë dhe nxitjen e përdorimit të transportit publik,
Kriza lidhet me luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, si dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit, që kanë ndikuar në rrjedhën e furnizimit me energji dhe kanë shtuar presionin mbi çmimet në nivel global.
Më 2 mars, Irani njoftoi kufizime për lundrimin në këtë ngushticë, një rrugë kyçe për transportin e naftës, duke paralajmëruar edhe sulme ndaj anijeve që kalojnë pa koordinim.
Rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë çdo ditë përmes Hormuzit dhe çdo bllokim i kësaj rruge ka çuar në rritje të çmimeve të naftës, si dhe të kostove të transportit dhe sigurimit, duke rritur shqetësimet për ekonominë globale.
Komente











