Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku 54-vjeçari Astrit Hysenaj dyshohet se humbi jetës si shkak i motit të keq. Burime për Report TV bëjnë me dije se Hysenaj, trupi i të cilit u gjet i pajetë në një kanal të qytetit, ishte ‘zhdukur’ pa gjurmë që në datën 6 janar, pasi kishte lënë punën në orën 10:30.
Familjarët e tij pasi ai nuk po kthehej në shtëpi, kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh ku Astriti punonte për të marrë informacion.
Pasi nga ndërmarrja janë informuar se Astriti ishte larguar nga puna në orën 10:30, familjarët i janë drejtuar Policisë për gjetjen e tij.
"Bashkia Durrës informon se punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, z. Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.
Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit", njoftoi Bashkia e Durrësit.
54-vjeçari humbi jetën si pasojë e motit të keq, pasi dyshohet se e kishte marrë rrjedha e një kanali në zonën e ish-repartit ushtarak.

Viktima Astrit Hysenaj
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)












