Ditën e sotme në Devoll, punonjëset e një fasonerie (Robaqepsia Toni Oil) janë ngritur në protestë. Shkak i kësaj proteste është bërë ulja e pagës në një vlerë prej 10 mijë lekë, për 5 punonjëse të kësaj fasonerie, që sipas punëdhënësit të tyre, nuk kanë kryer të gjitha proceset e planifikuara. Ndërkohë tjetër shkak i kësaj proteste ishte pushimi nga puna i drejtueses së sindikatës së puntorëve të fasonerive në Devoll, Mirjeta Mulla, sipas saj ajo kishte kërkuar lejen e zakonshme të punës, por menjhërë ka marrë nga punëdhënësi njoftimin për pushim nga puna.

“Kemi bojkotuar punën sepse pronarët më kanë dërguar një njoftim për pushim nga puna vetëm mua që jam kryetare sindikate në këtë fasoneri. Kemi kërkuar të drejtat tona që na jep ligji. Në datën 22 dhjetor kam çuar një kërkesë në të cilën u bëjmë me dije se duhet të marrim 3 ditët e lejes vjetore që ende nuk na i kanë dhënë. Dhe gjithashtu në datën 23 kam dërguar një kërkesë për të ditur arsyen pse disa punëtoreve të fasonerisë u është ulur rroga padrejtësisht. Më pushuan nga puna me pretekstin se do ristrukturohet numri i punëtoreve ndërkohë që këtu kërkohen punëtore çdo ditë”-u shpreh Mirjeta Mulla.

Mësohet se gratë punojnë me pagë minimale prej 34.000 lekësh në muaj.  Sipas protestuesve, kompania nuk ka bërë ende kontratë kolektive me punonjësit, ndërkohë që punonjëse të tjera shprehen jashtë kamerave se vazhdimisht i është mbajtur një shumë lekësh pa arsye nga punëdhënësit. Kjo robaqepsi ka mbi 100 punonjës, afro gjysma e tyre morën pjesë në protestën e organizuar ditën e sotme para vendit të tyre të punës. Punonjëset të cilat morën sot pjesë në protestë, vendosën të bojkotojnë punën deri në riktimin e kryetares së sindikatës punë.