Vetëm pak ditë më parë shqiptarët mësuan se gjëndja shëndetësore e të sëmurëve me talasemi në Shqipëri nuk është aspak e mirë. Madje për pacientët në qytetin e Lushnjës gjendja ishte dëshpëruese. Shumë prej këtyre pacientëve ishin të detyruar të hiqnin shpretkën për shkak se mungesat e vazhdueshme në furnizimin me gjak kanë dëmtuar për pasojë këtë organ.
Kreu i shoqatës së talasemikëve, z.Musa Zeneli, raportoi për këta pacientë në komisionin parlametar të shëndetësisë duke se, 80% e adoleshentëve e kanë Hemoglobinën nën 8-të, ndërkohë që ka shumë me Hemoglobinë në vlewra edhe nën 7, 6, 5 apo edhe 4.
Mungesa e gjakut bëhet edhe më kritike në muajt e verës kur, të gjithë institucionet tërhiqen nga tregu i punës për pushimet verore dhe për pasojë dhurimet vullnetare bien. Muaji Gusht është muaji me rezervat më të pakta në Bankën e Gjakut - thonë specialistët.
Spitali Hygeia në asnjë vit nuk e ka anashkaluar nga vëmendja këtë situatë problematike të rezervave të gjakut. Mjekë, infermierë, mami dhe punonjës të administratës për të 7-in vit rradhazi, u angazhuan për të dhuruar gjak, nën sloganin “Dhuro gjak, shpëto jetë”
Falë bujarisë së stafit të spitalit “Hygeia”, Banka Kombëtare e Gjakut, e cila asistoi këtë proçes, arriti të mbledhë një sasi të konsiderushmë gjaku, që do të shkojë për të ndihmuar jetët e pacientëve në nevojë për gjak.
Një njësi gjak me masë 400 ml në 6 muaj, nga cilido që e ndjen veten të shëndetshëm, do të ndihmonte shumë pacientët kronikë talasemikë që e kanë atë të barabartë me jetën. Ky proçes sipas mjekëve ndihmon jo vetëm ata, por ndihmon edhe dhuruesit për të qënë me të shëndetshëm fizikisht. Solidariteti është virtyt i një shoqërie të emancipuar, ndaj nuk duhet të shfaqemi indiferentë për ata që kanë nevojë për gjak. Çdo dhurim është i barabartë me një jetë. Ata presin çdo ditë nga të gjithë NE.
Drejtuesit e spitalit Hygeia falenderojnë të gjithë punonjësit e tyre, që u bënë pjesë e kësaj nisme humanitare, ndërsa premtojnë se do të vazhdojnë në angazhimin e tyre për organizime të tilla më të shpeshta.