Muaji Shkurt vjen me energji të forta astrologjike dhe ndryshime të ndjeshme për të 12 shenjat e zodiakut, duke ndikuar drejtpërdrejt në dashuri, financa dhe gjendjen emocionale. Ndodhemi drejt fundit të vitit astrologjik, një periudhë reflektimi, mbylljeje ciklesh dhe përgatitjeje për fillime të reja. Sipas numerologes dhe astrologes Liza Gjika, zhvillimet planetare të këtij muaji do të na bëjnë të ecim më ngadalë, por me më shumë ndërgjegjësim për veten dhe zgjedhjet tona.
"Jemi rreth fundit të vitit astrologjik, po lulëzojmë ngadalë. Hëna ndodhet tek Luani, e cila ka hyrë edhe tek Dielli dhe do të sjellë pak kapriço dhe rritje të egoizmit”, shprehet Liza Gjika në "Rreze Dielli" në Report TV. Ajo thekson se jo vetëm shenja e Luanit, por të gjitha shenjat e zodiakut duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtij muaji, pasi këto ndikime planetare mund të rrisin tensionet, egoizmin dhe të sjellin problematika, veçanërisht në shëndet, sidomos në lidhje me zemrën. Shkurti kërkon ekuilibër, vetëkontroll dhe vendime të mençura për të përballuar sa më mirë energjitë që sjell ky muaj.
Dashi
Ky është muaji i Ujorit, shenja e mendjes dhe mençurisë së zodiakut. Neptuni është në lëvizje dhe sjell vrull, por edhe paqartësi. Nga mesi i shkurtit situatat fillojnë të qetësohen për të gjitha shenjat, por veçanërisht për Dashin, i cili bëhet gati për sprint. Megjithatë, duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të mos nxitoheni, sidomos në negociata, pasi gjërat nuk duken ende shumë të qarta. Kjo ndodh sepse ndodhemi në kapitullin e fundit të vitit astrologjik, i cili nis më 21 mars.
Demi
Keni kaluar vështirësi të dukshme dhe nervozizëm, por vjen një moment kur gjithçka fillon të kthjellohet. Edhe tek ju ka ndikuar “tallazi” i Neptunit. Kujdes, pasi ende nuk keni dalë plotësisht nga vala e paqartësisë dhe pasiguritë janë të pranishme. Në aspektin sentimental, tregoni kujdes sepse Hëna në Luan rrit ndjeshëm mosmarrëveshjet. Jeni disi drastikë dhe duhet të tregoheni më tolerantë, përndryshe rrezikoni të prishni marrëdhënie të rëndësishme.
Binjakët
Jeni ende të paqëndrueshëm dhe do të hasni vështirësi në komunikim. Deri rreth datës 14 shkurt mund të keni probleme me dokumente, negociata apo bisedime të rëndësishme. Jeni në pozicion “alert”, megjithatë për disa prej jush gjërat mund të ecin mjaft mirë.
Gaforrja
Keni pasur shqetësime lidhur me shëndetin përgjatë kësaj periudhe, por thelbi i problemit vjen më shumë nga mendimet sesa nga gjendja fizike. Por mos u shqetësoni, ndryshimet pozitive për ju nisin fuqishëm në qershor, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Luani
Në këtë periudhë egoja juaj është rritur ndjeshëm dhe kjo ju bën nervozë. Kjo gjendje mund t’ju pengojë në shumë drejtime dhe të humbni raporte të rëndësishme. Jeni mes nxitjeve dhe thashethemeve, gjë që ju tensionon dhe mund të sjellë edhe probleme shëndetësore. Kujdes në aspektin sentimental: ju vetë vendosni dhe ju vetë vulosni situatat. Egoizmi është i theksuar, ndaj kërkohet shumë vetëkontroll.
Virgjëresha
Jeni pak të shpërndarë dhe shumë të angazhuar. Keni përpara ndryshime të mëdha, si vendbanimi apo çështje familjare. Lëvizjet planetare do të ndikojnë ndjeshëm tek ju, duke bërë që të jeni më të sigurtë, dhe të hidhni disa hapa të guximshëm, të cilët mund të rezultojnë pozitiv.
Peshorja
Aktualisht nuk po gjeni balancën tuaj. Mund të keni humbur miq ose shoqëri dhe kjo ju ka trishtuar. Shpesh reagoni keq në fillim dhe më pas përpiqeni të rregulloni situatat, por kujdes, sepse mund të jetë tepër vonë. Hëna në Luan mund t’ju rrisë egoizmin, ndaj tregoni maturi në marrëdhënie!
Akrepi
Kjo periudhë ju ka bërë më të tërhequr dhe më të kufizuar. Mund të ndjeni lodhje apo shqetësime shëndetësore, por në fakt gjithçka lidhet më shumë me gjendjen mendore. Mos u shqetësoni, bëni pak sport, lëvizni më shumë – nuk keni asgjë serioze! Kujdes gjithashtu nga vartësitë!
Shigjetari
Keni pasur shumë pikëpyetje në fusha të ndryshme, por rrugët i keni të hapura. Mundësitë janë të mira, por disa prej tyre janë afatshkurtra, si flluska. Jeni ende në mjegull për shkak të Neptunit në Dash, ndaj prisni pak dhe mos u entuziazmoni para kohe, sepse mund të përballeni me pengesa të vështira për t’u kapërcyer.
Bricjapi
Jeni shumë socialë, por edhe kokëfortë. Kujdes, sepse Hëna në Luan do t’ju rrisë kapriçot. Keni lëvizje në vendbanim, punë, pozicion apo edhe në marrëdhënie personale. Deri në datën 14 shkurt jeni ende në mjegull, ndaj mos merrni vendime të nxituara. Pas kësaj date gjërat fillojnë të kthjellohen.
Ujori
Kini kujdes në këtë periudhë 15-ditore. Mund të keni lëvizje pozicioni, pune dhe për disa edhe çështje martese. Megjithatë, jeni ende në paqartësi për shkak të trazirave që ka sjellë Neptuni, ndaj shmangni veprimet e nxituara.
Peshqit
Jeni më të qartësuar dhe më të çliruar se shenjat e tjera në këtë muaj. Duket se kjo është periudha juaj më e favorshme. Për Peshqit që merren me art, priten lajme pozitive dhe zhvillime shumë të mira.
Komente












