Patrizia Reggiani, ish-bashkëshortja e Maurizio Guccit, është shtruar në reanimacionin e spitalit Infermi të Riminit për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Detajet nuk bëhen të ditura.
Reggiani, e dënuar me 26 vjet burg si porositëse e vrasjes së ish-bashkëshortit dhe e liruar dhjetë vjet më parë, kishte disa ditë që ndodhej me pushime në Rivierën Romagnole. Sipas gazetës Resto del Carlino, gjendja e rënduar shëndetësore ndodhi të hënën në mëngjes, ndërsa Reggiani ndodhej në dhomën e saj, në tarracë. Për shkaqet e asaj që ka ndodhur janë ende duke u kryer verifikime. Ndër hipotezat, të cilat duhet të verifikohen të gjitha, është edhe ajo e ekspozimit të zgjatur ndaj të nxehtit dhe diellit gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Ndihmën e shpejtë e ka thirrur asistentja. Pas ndihmës së parë në vendngjarje, Reggiani u transportua me urgjencë në spitalin e Riminit, ku u shtrua në terapi intensive. Prognoza mbetet e rezervuar. Tani do të jenë ekzaminimet mjekësore ato që do të ndihmojnë në sqarimin e shkaqeve që çuan në shtrimin e saj në spital.


Komente
Komento