Pushohet çështja, Emiljano
Shullazi i lirë pas disa ditësh

SHKODËR - Heqja dorë nga ankimimi ka sjellë sot mbylljen e procesit gjyqësor në Gjykatën e Apelit në Shkodër në ngarkim të shtetasve Emiliano Shullazi e Helidon Harizaj.

Në seancën e sotme gjyqësore, avokatët mbrojtës të të pandehurve, përkatësisht  avokatet Sokol Mengjeli, Ardjan Skenderaj dhe Blerim Bazhdari kanë kërkuar heqjen dorë nga ankimimi i bërë prej klientëve të tyre. Kjo ka bërë që kryetari i seancës, gjyqtari Astrit Kalaja të vendosë pushimin e çështjes.

Prej muajsh, në Gjykatën e Apelit në Shkodër, procesi në ngarkim të Shullazit dhe Harizajt është zvarritur duke mos u zhvilluar për shkak të mungesave të avokatëve, të cilët u zëvendësuan disa herë nga dhoma e avokatisë në Shkodër, por as ata dhe as të pandehurit nuk ishin të pranishëm në gjyq.

Seancat gjyqësore u shtynë 7 herë radhazi. Nga gjykata e Apelit në Shkodër u caktuan mbi 8 avokatë mbrojtës, ndërsa 4 të tjerë u zgjodhën nga vetë të pandehurit, por në shtatë seancat gjyqësore mbrojtësit kanë munguar; herë njëri avokat e herë tjetri apo në disa raste edhe të dy.

Me pushimin e çështjes për tërheqje nga ankimimi, sipas të njohurve të të pandehurve, pritet lirimi i tyre, pasi dënimi plotësohet me pjesën e bërë në paraburgim.

LLOGARITJA, SHULLAZI SOT DUHET TË LIROHEJ


Nga 29 qershori 2012 kur u arrestua e deri sot, Shullazi ka kryer gjithsej 322 ditë burg. Dënimi i tij ka qenë 16 muaj burg x 30 ditë = 480 ditë.

Ndërsa nga 322 ditë, që ka qëndruar në qeli x 1.5, që llogaritet paraburgimi, bëjnë 483 ditë.

Pra, i bie që Shullazi duhet të ishte liruar sot. Por nga avokati i Shullazit mësohet se, klienti i tij do të lirohet në fund të muajit maj dhe shkak për këtë është se ka raste që shtyhen afatet e paraburgimit.

E SHKUARA E SHULLAZIT

Emiliano Shullazi është një emër i njohur për drejtësinë në Shqipëri. Ai, së bashku me Helidon Harizajn, u arrestuan më 29 qershor 2012 me dy armë pa leje në një makinë të blinduar te kryqëzimi i Shëngjinit.

Gjykata e Lezhës vendosi shpalljen fajtor të Shullazit dhe Harizajt dhe dënimin e tij me 2 vite burg, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar në vendimin përfundimtar u vendos dënimi i tyre me 1 vit e 4 muaj.

Ky dënim u apelua në gjykatën e Apelit në Shkodër nga avokatët mbrojtës, të cilët pretendonin uljen e dënimit për dy klientët e tyre. Dy të pandehurit nuk erdhën asnjëherë në gjykatën e apelit në Shkodër edhe pse policia merrte masa sigurie.

Shullazi ishte arrestuar edhe disa muaj më parë prej arrestimit të fundit, por gjykata e Tiranës e shpalli "të pafajshëm" për "armëmbajtje pa leje". Edhe pse policia kishte shënuar se pistoletën e kishte Shullazi, ata ndryshuan dëshminë e tyre.

Në vitin 2009, Shullazi është arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike. Emri i tij u shfaq edhe në fushatën për zgjedhjet lokale, kur u angazhua në krah të kandidatëve të mazhorancës, duke sulmuar kandidatët e opozitës në Tiranë.

Emri i Shullazit ka dalë në disa media këto ditë si i lidhur me Bledar Balliun, që u ekzekutua dy ditë përpara arrestimit të tij në Tiranë.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës