Pushteti i butësisë

Pushteti i butësisë
Kur bie fjala në biseda të ndryshme për Presidentin e Uruguajt Jose Mujica, pak e njohin. Fare pak në Shqipëri. Por nëse flet për Obamën, Merkelin...të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të ditur e të paditur, dinë kush janë e çfarë kanë bërë e bëjnë. Dinë gjithashtu kush ishte Çërçill, Duçe, Hitleri, Stalini e Enveri... i njohin të gjithë. Bota funksionon kështu; gjithnjë ka funksionuar kështu: regjistron në histori dhe në mendjet e njerëzve më të pushtetshmit, më të fortët: që nga Aleksandri i Madh, te Xhorxh Bush, që nga Skënderbeu, te Toni Bler... pak gjë dihet për të butët.
Kushedi, nëse Jezu Krishti nuk do të vdiste i kryqëzuar, nuk do të kishte atë torturë të tmerrshme, ndoshta pak do të njihnin historinë e tij... Njerëzimi nuk mban në memorie njerëzit e paqtë dhe njerëz si Krishti, Muhamedi, Buda, Mahavira, Zarathustra janë gati figura mistike... gati, gati, për të rinjtë e sotëm, (përmes testeve të ndryshme që janë bërë) rezulton se e vënë në dyshim nëse realisht kanë ekzistuar. Ndërsa janë të sigurtë se kanë ekzistuar Çezari, Aleksandri i Madh, Carët e Rusisë.
Jose Mujica, ose Presidenti Bepe, siç e quajnë të gjithë, është një President i butë. Figura e tij më ka magjepsur: Pallatin Presidencial e ka shndërruar në një mensë për njerëzit në nevojë, jeton me të shoqen në shtëpinë e vogël në Periferi të kryeqytetit uruguajan, 90 për qind të rrogës së tij e lë për të varfërit dhe është i lumtur dhe i kënaqur me ato pak gjëra që ka. Ç’president është Jose Mujica?! Mban radhë si gjithë të tjerët për t’u vizituar te mjeku... Ku e ka dhe si e ushtron pushtetin e tij? Jose Mujica nuk është si gjithë të tjerët, është ndryshe, pushteti i tij është butësia. Mund të jetë kjo e ardhmja e Botës, por të gjithë e shohim që nuk është e tanishmja.
Në të vërtetë butësia, mungesa e ambicjes, e luftës, e egos për pushtet ka gjetur që në agimet e njerëzimit himnizim nga disa njerëz të paqtë. Buda thotë: “Butësia është gjëja më e fuqishme”, ndërsa Jezu Krishti thotë: “Lum të butët, sepse do të trashëgojnë Tokën”. Por Historia, Njerëzimi nuk u ka dhënë asnjëherë rëndësi të butëve edhe pse janë shumë dhe jetojnë mirë, njihen pak.
Ja çfarë komenton në librin e tij Osho Raajanesh, “Pushteti i brishtësisë”, botuar në italisht nga Bompiani: “…Jezu Krishti thotë: Lum të butët, sepse do të trashëgojnë Tokën”. Një deklaratë në dukje absurde, sepse nuk ka ndodhur kurrë që të butët të kenë pushtet mjaftueshëm për të trashëguar Tokën; nuk arrijmë as ta konceptojmë si ide. Por Jezu Krishti po thotë një gjë të vërtetë: Lum të butët, dhe kur thotë se ata do të trashëgojnë Tokën, pohon të njëjtën gjë që thotë dhe Buda: “Butësia është gjëja më e fuqishme”.
...Butësia është e fuqishme, por bëhet fjalë për një fuqi totalisht të ndryshme. Butësia është e fuqishme pasi falë saj nuk ka asnjë kundër teje; Është e fuqishme sepse nuk je më i ndarë nga Gjithësia, nga fuqia e Gjithësisë; është e fuqishme pasi nuk je më duke luftuar dhe qënia jote nuk mund të mundet më... duket paradoksale, sepse një njeri i butë nuk ka asnjë qëllim për të fituar; përkundrazi, është gati të humbasë...” Thotë Lao Tzu: “...Askush nuk mund të më mundë, pasi unë kam pranuar humbjen… Askush nuk mund të më mundë pasi unë jam i fundit i të fundmëve…”
Esenca e mendjeve të ndriçuara  të së Vërtetës në Orient: Buda, Lao Cu, Mahavria, Osho është anulimi i Egos: Kur njeriu jeton i dorëzuar, atëherë kur Ego, Uni nuk ekziston, ka arritur të jetë në harmoni me Gjithësinë, Ekzistencën; të gjitha metodat e meditimit kanë këtë synim: Ndriçimin përmes heqjes së shtresave të memories që rëndojnë në mendjen e njeriut dhe projektojnë Egon e tij.
Kjo është e kundërta e filozofisë së deritanishme në Perëndim, ku kultura, shoqëria ndërtojnë një Supernjeri, me superambicje, superego: Sa më i fortë, aq më i mirë. Po cila mund të jetë e mesmja e artë mes mendimit të Orientit dhe Perëndimit? Të jesh apo të mos jesh? Pyet  i madhi Shekspir përmes Hamletit të tij.
Të jesh i butë, më duket një ekzistencë e mrekullueshme për të gjithë.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

A do të ndalohet TikTok në SHBA? Trump: Ndoshta duhet ta mbajmë edhe pak kohë rrotull

A do të ndalohet TikTok në SHBA? Trump: Ndoshta duhet ta mbajmë edhe pak kohë rrotull