Pushtimi i Dashurisë

Pushtimi i Dashurisë
Mesiguri duhet të jemi të verbuar këto kohë. Kështu duhet të jetë vërtet përderisa gjithandej ndjejmë vrazhdësi e sërish ne vazhdojmë qetësisht përditshmërinë tonë; dëgjojmë zhurma shurdhuese e nuk reshtim; përballemi me probleme e kudo na duhet të sforcohemi e të tendosim nervat, për çdo sëmundje na thonë se shkaku kryesor është stresi dhe bindemi e marrim të njëjtat ilace; ngado ku ecim bëhemi pis nga bloza, ngjyra gri e përsëri marrim të njëjtën rrugë që humbet në një tunel pa fund.

Zgjohemi në mëngjes. Në fakt duhet të nisim një ditë të re, por në mbrëmje ngatërrohemi nëse ishim dje apo jemi sot. E njëjta rutinë. Të njëjtat debate boshe. Të njëjtat probleme të mëdha e të vogla. Të njëjtat taktika zgjidhjesh të vështira e pështira, e njëjta politikë e ndotur, të njëjtat përralla me ujqër e kuçedra dhe në dukje të njëjtat përfundime. Them thjesht në dukje, sepse gjithçka që përfundon sot, në të vërtetë është një 􀂿 llim për ditën e re nesër. Asgjë nuk krijohet nga hiçi sa hap e mbyll sytë. Dhe këtu përsëriten pyetjet që përgjigjet nuk ua kemi gjetur ende. Po pse po jetojmë kështu vallë? Jemi ne të vetmit? Edhe sa do zgjasi ky tranzicioni ynë? E kemi zgjedhur vet vërtet këtërealitet? Nëse po, atëherë nuk kemi pse të ankohemi. Nëse janë të tjerë ata që po na e imponojnë, atëherë na takon neve vetë të vëmë në lëvizje çdo muskul, të ndezim çdo motor e të ndryshojmë trajektoren e anijes tonë të përbashkët Shqipëri. Është ditë e pajetuar mirë çdonjëra që ikën pa fillimin e një mendimi e veprimi të dobishëm, e një revolucioni të vërtetë të brendshëm e intelektual. Na duhet një shkundje e fortë. Duhet të heqim fashat e zeza që na kanë mbyllur sytë.

Ne kemi mundësi t’ia dalim. Kemi vërtetuar se harrojmë shpejt. E kështu duhet të harrojmë negativitetin që na ka mbërthyer të gjithëve, por jo arsyet e shkaqet e tij. Shumë shpejt i harruam “gondolat shkodrane”, por nuk mund të jetë vetëm e së kaluarës realiteti se ishim ne banorët e kësaj toke me emrin Shqipëri që e krijuam atë liqen.

Ne kemi krijimtari. Janë të panumërta inisiativat private, të suksesshme dhe frymëzuese për të bërë emër, duke kontribuar për një të ardhme me ekonomi më të begatshme, me një shoqëri më qytetare e demokratike, për një shtet të përparuar e “Zot” të qytetarëve të vet. Është shqipëtar artisti Saimir Strati, që për të gjashtën herë shënoi emrin e tij në faqet e librit Guiness. Gjithashtu bashkatdhetarë të tjerë paraqesin vazhdimish punimet e tyre nëpër ekspozita e panaire në mbarë globin.

Ne jemi edhe punëtorë. Nuk janë një edhe dy, por me mijëra familjet e emigrantëve shqiptarë që përballojnë me dinjitet jetesën në vendet më të zhvilluara.
Ne kemi edhe mundësi të përmirësohemi përderisa jemi ende duke u ndërtuar. Kur më kanë pyetur para 5 a 6 vjetësh miq të huaj se pse duhet ta vizitojnë Shqipërinë, kam menduar ç’mund t’u them përpara Parisit magjik, Romës historike, Milanos modern, qiellgërvishësve të New York-ut, atmosferës së Mynihut etj, etj. Pastaj jam përgjigjur: - vërtet mund të shijoni gjithë këto bukurira të krijuara ndër shekuj, por nëse doni të shihni sesi ndërtohen rrugët, pallatet, urat, si ndërtohet gjithçka nga e para, atëherë duhet të vini në vendin tim. E çuditshme, kam mbetur tek e njëjta përgjigje edhe sot!!! Sidoqoftë,
Ne jemi shumë pro së resë. Çdo teknologji e kohës gjendet edhe në vendin tonë, makina, arredime, arkitekturë, modë.

Ne kemi ëndrra, oh sa shumë. Ëndrra me sy hapur, nga ato të një nate vere, por edhe pa fund ëndrra që me këmbëngulje e punë nuk mbeten më të tilla. A nuk është për shembull veprimtaria krijuese artistike e regjizorit Kiço Londo?! Mes shumë vështirësish ai vazhdon të mbajë gjallë ëndrrën e tij, tashmë edhe më të madhe, me teatrin mbarëkombëtar. Duhet edhe të ëndërrosh e të shikojmë anën pozitive të kësaj ndjesie. Ëndrrat duhet të jenë frymëzim për më shumë punë, për më shumë lëvizje, për më shumë krijimtari e përfundime plot sukses, për më shumë ëndrra të realizuara dhe fantazim të tjerash.

Por, ajo që neve Sot na duhet më shumë, është “Pushtimi i Dashurisë”. Duhet të duam më shumë veten tonë, së pari dhe mbi të gjitha veten tonë. Jeta është shumë e lirë në këtë tokën tonë kaq të lashtë e kaq pjellore. A nuk është e vërtetë shprehja: “Nëse nuk je për veten tënde nuk mund të jesh për askënd tjetër”? Nuk është egoizëm e as arrogancë respekti dhe përkushtimi dhe dashuria për vetveten. Është domosdoshmëri për të krijuar forca, energji, për të pasur e arritur objektiva. Në të njëjtën linjë, është e pandryshueshme dhe jetike të qënit pjesë e një grupi, të pasurit shokë, miq, të njohur, komunikim me bashkëpunëtorë, konkurrentë, me më të mëdhenj e me më të vegjël, me të njohur të vjetër, me të panjohur e të njohur të rinj. Askush nuk mund të jetë gjithçka dhe për më tepër nuk duhet. Por kushdo mund të krijojë lidhje, marrëdhënie të ngushta a formale e kështu mund të realizojë çka i duhet. E dashuria duhet të na ngrohë sërish. Duhet të duam të mos jemi vetëm. Duhet të duam të jemi vetë mirë e të jemi pjesë e një shoqërie edhe më të mirë. Kështu do të mundemi të duam edhe vendin tonë, jo duke shpalosur patriotizëm patetik, me parrulla e vetëm për ndeshje futbolli, por duke dashur e respektuar identitetin tonë. Ne jemi shqiptarë, këtë nuk e ndryshojmë dot dhe nuk ka pse. Po sa studentë shqiptarë prezantojnë projektet e tyre në auditorë të ndryshëm e në shumë universitete të perëndimit, shumica përpiqen e arrijnë rezultate të lakmueshme; sa artistë korrin duartrokitjet e sallave gjigande dhe në dejet e tyre rrjedh i njëjti gjak si edhe i joni. Ata ia kanë dalë të ndihen vetë e të na bëjnë edhe neve krenarë.

Jam e sigurt se ne të gjithë jemi të pafuqishëm ta ndalojmë me bindje Pushtimin e Dashurisë. Duhet vetëm ta lëmë të lirë instiktin tonë. Duhet të duam dhe të investojmë në dije, kulturë, profesionalizëm, jetesë me shije.

Sot ka nevojë për më shumë shpresë dhe guxim. Bota duket gjithnjë e më e vogël. Ditët gjithmonë e më të shkurtra. Prandaj uroj që gjatë këtij vitit të ri të jetojmë me më shumë pozitivitet, më shumë punë e mirëqënie për të gjithë, më shumë krijimtari, më shumë gjelbërim, më shumë frymëzim për krijime me penë e ndërtesa të reja me gurë, më shumë dashuri mes nesh, më pak urrejtje, më pak fallcitet, më pak ditë boshe, më pak minuta të harxhuara dëm, më pak gënjeshtra e mashtrime, më pak mllefe e qejfmbetje, më pak gjykime për të tjerët e mbi të gjitha më shumë falenderime e mirënjohje. Këto janë të gjitha në dorën tonë. Të bëjmë çka mundemi.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Panik dhe frikë në Gjermani - Danimarkë, forcat speciale arrestuan tifozin e maskuar në çatinë e 'Iduna Park'

VIDEO/ Panik dhe frikë në Gjermani - Danimarkë, forcat speciale arrestuan tifozin e maskuar në çatinë e 'Iduna Park'