Presidenti rus Vladimir Putin i ka siguruar presidentit amerikan Donald Trump se Rusia "nuk ka plane të sulmojë Europën", gjatë një bisede telefonike që zgjati më shumë se një orë. Sipas këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov, telefonata ishte "konstruktive dhe profesionale" dhe u përqendrua te lufta në Ukrainë.
Ushakov tha se Putin argumentoi se pretendimet për një "kërcënim rus" po përdoren nga Bashkimi Europian si justifikim për të rritur mbështetjen ushtarake për Kievin dhe shpenzimet në mbrojtje. Nga ana tjetër, Trump shprehu dëshirën që lufta në Ukrainë të përfundojë "sa më shpejt të jetë e mundur", ndërsa presidenti rus i paraqiti atë që, sipas Kremlinit, janë hapat që SHBA mund të ndërmarrë "konkretisht" për të përshpejtuar fundin e luftimeve.
Biseda nuk u ndal vetëm te lufta. Dy liderët ranë dakord të vazhdojnë punën për çështjet humanitare, përfshirë shkëmbimin e personave të ndaluar dhe të dënuar.
"Vlen të theksohet se gjatë telefonatës u ra dakord të vazhdohet puna për çështjet humanitare, përfshirë shkëmbimin e personave të ndaluar dhe të dënuar", tha Ushakov, i cili shtoi se Putin vlerësoi edhe përpjekjet e Melania Trump "për rikthimin pranë familjeve të tyre të fëmijëve rusë dhe ukrainas".
Sipas Kremlinit, Putin dhe Trump ranë dakord gjithashtu të mbeten në kontakt dhe të zhvillojnë biseda sa herë të jetë e nevojshme. Ushakov bëri të ditur se të dy presidentët vlerësuan pozitivisht edhe misionin e të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë dhe Kiev. Ai tha se Trump është i interesuar të arrijë një kthesë në zgjidhjen e konfliktit gjatë presidencës së tij, ndërsa Putin beson se fundi i luftës do të krijonte mundësi për "një rivendosje të gjerë të marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së".
Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se "nëse nuk flitet me Rusinë, nuk mund të ndalet lufta në Ukrainë".
Në të njëjtën ditë, Bashkimi Europian konfirmoi mbështetje të re ushtarake për Kievin. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se 27 vendet anëtare arritën marrëveshje për financimin e produkteve thelbësore për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
"Disbursimi i ardhshëm prej 3.2 miliardë eurosh do t'i lejojë Ukrainës të mbrojë më mirë qiellin e saj nga sulmet pa dallim të Rusisë", deklaroi Von der Leyen.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se "NATO dhe Bashkimi Europian do të vazhdojnë të punojnë krah për krah për të mbështetur Ukrainën". Ndërsa nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, u bëri thirrje vendeve europiane të përgatiten për një mbështetje afatgjatë për Kievin, duke paralajmëruar se "Rusia po rindërton forcat e saj të armatosura dhe kapacitetin industrial të mbrojtjes".











Komente
Komento