MOSKË – Pas shpinës së Vladimir Putinit ndodhet një poster ku shkruhet "Për atdheun». Ndoshta më e rëndësishme është vetë imazhi poshtë mbishkrimit, që nuk ka lidhje me luftën në Ukrainë. Është fotografia e famshme e vitit 1945 që tregon një ushtar të Ushtrisë së Kuqe teksa ngre flamurin sovjetik mbi Reichstagun e Berlinit, një tjetër mbivendosje mes së tashmes dhe një të kaluare shumë të ndryshme.
Presidenti rus viziton Spitalin Qendror Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, ku kurohen dhe rehabilitohen ushtarët e plagosur në betejë. Gjatë vizitës në repartin kirurgjik, ai ulet në një tavolinë dhe bisedon me disa pacientë. "Përpjekjet tuaja nuk kanë qenë të kota. Situata e përgjithshme në zonën e Operacionit ushtarak special po zhvillohet në mënyrë të favorshme për ne. Shokët tuaj të armëve po përparojnë në të gjitha frontet dhe po veprojnë me vendosmëri. Siç e dini, në dy vende, në qytetin e Kupianskut dhe në Krasnoarmejsk, kundërshtari është bllokuar dhe rrethuar".
Është hera e parë që autoriteti më i lartë i Federatës ndien nevojën të hyjë në hollësitë e situatës në front. Është e vërtetë që konteksti e justifikon, por Putin nuk kishte qenë kurrë më parë kaq i drejtpërdrejtë për një kapitull ende të hapur. Prej ditësh po diskutohet për vërtetësinë e lajmeve që vijnë nga të dyja palët, sikur mjegulla e luftës të kishte mbuluar gjithçka. Putin duket i sigurt për atë që thotë. Arrin madje të ftojë "përfaqësues të mediave, gazetarë të huaj dhe gazetarë ukrainas" për t’u treguar se çfarë po ndodh vërtet. "Kështu ata do të kuptojnë situatën në të cilën ndodhen trupat ukrainase të rrethuara dhe udhëheqja politike e Kievit do të mund të marrë vendimet e duhura për fatin e qytetarëve dhe ushtarëve të saj".
Tingëllon si një ftesë për dorëzim, jo vetëm në ato dy qytete, por në mënyrë më të përgjithshme. Përgjigjja e menjëhershme e drejtuesve ushtarakë ukrainas e cilëson "fantazi" sigurinë e Putinit për marrjen e Kupianskut, edhe pse pak më pas presidenti i tyre e pranon vështirësinë duke deklaruar se në atë zonë "situata është e ndërlikuar, por ne vazhdojmë të mbrojmë pozicionet tona". "Nuk e kanë arritur rezultatin e parashikuar", përfundon Volodymyr Zelensky, duke shtuar më pas se, sipas tij, Kremlini po përpiqet të bindë Shtëpinë e Bardhë se trupat e Federatës tashmë mund të marrin gjithë Donbasin.
Duke folur me ushtarët e tij, presidenti rus dërgoi gjithashtu edhe një tjetër mesazh për “Perëndimin kolektiv”, duke prezantuar një armë të re, vetëm disa ditë pas prezantimit të raketës Burevestnik, “Zogu i stuhive”. Të paktën kjo ka një emër më të lehtë. "Përveç zgjidhjes së këtyre çështjeve urgjente, nuk harrojmë të përmirësojmë dhe të forcojmë potencialin tonë strategjik. Duhet ta dini se dje u krye një tjetër test mbi një tjetër mjet premtues: mjeti nënujor pa ekuipazh Poseidon, i pajisur gjithashtu me një shtytës bërthamor. Fuqia e tij e kalon shumë atë të Sarmat, raketës sonë ndërkontinentale më të fuqishme. Nuk ekziston asgjë e ngjashme me Sarmat në botë: tek ne ende nuk është futur në shërbim, por do të ndodhë së shpejti".
Por në disa rajone, rreth dhjetë gjithsej, paga e ushtarit po bie. Dhe jo pak. Ajo që po shkurtohet është shpërblimi një herë që ushtari merr në momentin e nënshkrimit me ministrinë e Mbrojtjes. Përveç 400 mijë rublave federale, shtohej edhe një kontribut i konsiderueshëm rajonal, përcaktuar në mënyrë të pavarur. Pikërisht kjo pjesë ka filluar të zvogëlohet që nga vera e vitit 2025. Shkurtimi më i madh është bërë në rajonin e Samarës, ku në janar 2025 "bonusi" rajonal ishte ende më i larti në vend. Tani është ulur nga 3,6 milionë rubla në 400 mijë, pra nëntë herë më pak. Kjo rrethanë po ngjall megjithatë debat. Ish-presidenti Dmitry Medvedev ka ndërhyrë duke thënë se ulja është e justifikuar nga fakti që në vitin 2025 janë rekrutuar në ushtri mbi 345 mijë rekrutë, një numër që autoritetet e konsiderojnë të mjaftueshëm. Disa ekspertë të pavarur pretendojnë se shkaku i prerjes është mungesa e fondeve./Corriere della sera
Komente









