Presidenti rus, Vladimir Putin mësohet se ka urdhëruar zyrtarë të gjejnë asete ruse që dikur ishin në pronësi të Bashkimit Sovjetik. Ky dekret i Putin u publikua të enjten ku caktoi fonde për zyrën shtetërore për të kryer kërkime për asete jashtë vendit dhe për të siguruar regjistrimin e të drejtave të pronësisë ruse.
Në dokument nuk specifikon madhësinë e buxhetit për këtë operacion dhe as nuk specifikon se çfarë asetesh po kërkohen, raporton Bloomberg.
Organi shtetëror i ngarkuar me këtë detyrë quhet Departamenti i Pronës së Jashtme i Drejtorisë Administrative të Presidentit të Federatës Ruse, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Fondet do të ndahen për të mbuluar kostot që lidhen me “procesin e kërkimit të pasurive të paluajtshme në pronësi të Federatës Ruse, ish-Perandorisë Ruse, ish-BRSS”, si dhe “regjistrimin e duhur të të drejtave (pronësore)” dhe “mbrojtjen ligjore të kësaj prone”, saktësoi TASS, i cili përmend edhe një dekret tjetër për ndarjen e fondeve për të mbuluar shpenzimet e departamentit për mirëmbajtjen dhe përdorimin e pronës federale ruse jashtë vendit.
Sipas dokumentit, siç raporton Ukrainska Pravda, me këtë çështje, përveç administratës presidenciale, do të merret edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërsa është e paqartë se çfarë e nxiti dekretin, interesi i Putinit për ish-pronat perandorake nuk ka gjasa të qetësojë shqetësimet për ambiciet e tij reale në shtetet fqinje, pasi pushtimi rus i Ukrainës tronditi sigurinë evropiane.
Në kulmin e saj, Perandoria Ruse shtrihej në territoret e Polonisë së sotme dhe në shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe Finlandës. Ajo u shpërbë nën presionet politike dhe presionet e tjera që lindën nga Lufta e Parë Botërore dhe Revolucioni Bolshevik i 1917 nën udhëheqjen e Vladimir Leninit, i cili shënoi lindjen e shtetit komunist.
Bashkimi Sovjetik, i formuar në vitin 1922, shtrihej në pjesën më të madhe të territorit të ish-perandorisë, por përjashtoi Poloninë dhe Finlandën, derisa u shemb në vitin 1991, kur republikat në Balltik, Kaukaz, Ukrainë, Bjellorusi dhe Azinë Qendrore u bënë të pavarura.
Në janar, vendet e Bashkimit Evropian filluan zbatimin e propozimit të Komisionit Evropian për të përdorur të ardhurat prej 300 miliardë dollarësh të aseteve të ngrira ruse në interes të Ukrainës, shkruan Moscow Times. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë, duke e vlerësuar atë si një hap “të drejtë dhe ligjor”, si dhe një sinjal për agresorët e mundshëm në botë.
Në përgjigje të këtyre veprimeve, zyrtarët rusë kërcënuan veprime të mundshme ligjore dhe premtuan një përgjigje pasqyre në rast sekuestrimi të aseteve ruse. Sipas zëdhënësit, Dmitry Peskov, Kremlini e konsideron çdo përpjekje për të sekuestruar (pronën ruse) “vjedhje të drejtpërdrejtë”.