Putini nënshkruan ligjin që ua mundëson të pandehurve t’i bashkohen ushtrisë

Putini nënshkruan ligjin që ua mundëson të pandehurve t’i bashkohen ushtrisë

Burg në Rusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një ligj të ri kontrovers për pezullimin e procedurave penale kundër individëve të cilët thirren në ushtri, apo nënshkruajnë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë për të shërbyer në ushtri.

Ky ligj ua mundëson të pandehurve – madje edhe atyre që janë duke u gjykuar apo duke u ankuar kundër dënimit – ta shmangin gjykimin duke iu bashkuar ushtrisë ruse.

Ligji përbën hap të ri në përpjekjet e Rusisë për ta rritur ushtrinë pa bërë mobilizim masiv, i cili është opsion i ndjeshëm politik në vend.

Duke i përdorur të burgosurit dhe të pandehurit, Kremlini mund të vazhdojë të rekrutojë ushtarë duke i minimizuar pakënaqësitë publike njëkohësisht.

Megjithatë, kjo strategji i ka rritur shqetësimet për abuzim me të drejtat e njeriut, pasi raportohet për thirrje të detyruar në ushtri, kushte të vështira burgu me qëllim për t’i nxitur të burgosurit t’i bashkohen luftës, si dhe trysni e rritur ndaj individëve që janë në pritje të gjykimit.

Procesi gjithashtu është kritikuar, pas një vale krimi që përfshin të dënuar që kthehen nga vijat e para të frontit pasi kanë përmbushur detyrat e shërbimit të tyre.

Sipas ligjit të ri, të pandehurit tani do të kenë mundësinë të rekrutohen në ushtri në faza të ndryshme gjatë procedurave të tyre ligjore.

Kjo përfshin rastet kur çështja e tyre është dërguar në gjykatë, ose edhe gjatë procesit të gjykimit.

Ligji vlen gjithashtu për ata të cilëve ende nuk u është finalizuar dënimi, pra individëve që janë ankuar ndaj dënimeve të tyre mund ta shmangin burgimin duke iu bashkuar ushtrisë.

Fushata e rekrutimit të të dënuarve nisi nga grupi mercenar Wagner, por tani është marrë përsipër nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Sipas një raporti të faqes së internetit IStories, Qeveria ruse planifikon t’i rekrutojë rreth 24.000 të pandehur për të shërbyer në luftën në Ukrainë.

Burimi nga Ministria e Mbrojtjes vlerëson se rreth 40 për qind e afro 60.000 të pandehurve në paraburgime me gjasë do të thirren në ushtri.

Avokati Dmitry Zakhvatov tha për IStories se rekrutimi është nxitur si pjesë e përpjekjes për ta shmangur valën e re të “mobilizimit të pjesshëm”, i cili do të kishte shkaktuar kritika publike me gjasë.

Kur Putini njoftoi një mobilizim të tillë në shtator 2022, dhjetëra mijëra burra rusë ikën nga vendi, nga frika se do të dërgoheshin në vijat e para të frontit.

Në fillim të kësaj jave, Putin nënshkroi një dekret për rekrutimin e rregullt të burrave midis moshës 18 dhe 30 vjeç për një vit shërbim të detyrueshëm ushtarak.

Periudha e rekrutimit filloi më 1 tetor dhe do të vazhdojë deri më 31 dhjetor, gjatë së cilës pritet që rreth 133.000 burra t’i bashkohen ushtrisë ruse.

Derisa fillimisht Putini e siguroi publikun se vetëm ushtarët me kontratë do të dërgoheshin për të luftuar në Ukrainë, raportet sugjerojnë se rekrutët shpesh detyrohen të nënshkruajnë kontrata menjëherë pas rekrutimit, dhe pastaj dërgohen në vijën e parë të frontit./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb