Holanda zyrtarizon kërkesën e saj ndaj Komisionit Evropian për rikthimin e regjimit të vizave ndaj Shqipërisë. Parlamenti holandez, përmes përfaqësuesit të saj në Bruksel, Robert de Groot, i ka dërguar një letër eurokomisionerit Dimitris Avramopolous ku i kërkon që KE të marrë në shqyrtim kërkesën e parlamentit të Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët. Ky formalizim i rezolutës miratuar që në mes të muajit prill në parlamentin holandez, vjen vetëm dy ditë pas publikimit të progres raportit të Komisionit Evropian i cili rekomandi çeljen e negociatave pa kushte për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Raporti vlerësoi luftën që Shqipëria ka bërë në luftën kundër krimit të organizuar.

Komisioni Evropian pritet të nisë verifikimet mbi këtë kërkesë të Holandës, për të parë nëse bazohet mbi fakte dhe mbi rregullat që parashikon heqja e liberalizimit të vizave ndaj një shteti.

Në letrën e Groot thuhet se prezenca e shqiptarëve në krim është në rritje. Ai vijon duke thënë se shqiptarët luajnë rol në krimin e organizuar në Amsterdam pasi në Holandë sipas tij është rritur numri i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria. Në këtë letër që de Groot i ka dërguar Komisionit Europian janë sqaruar edhe statistikat për shqiptarët e përfshirë në krime dhe numrit të azilkërkuesve.

Bie në sy se numri i shqiptarëve që kërkojnë azil ka rënë ndjeshëm.

Ndërsa në vitin 2015 numri i azlikërkuesve ka qenë 1005 dhe në 2016 ka shkuar në 1665 në vitin 2017 ka rënë në 365 dhe në vitin 2018 ka pasur 550 shqiptarë që kanë kërkuar Azil.

Pas publikimit të kësaj letre ka reaguar edhe ambasada e Holandës. Ambasada sqaron se Komisionit Europian i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Holanda në datë 16 prill dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.  Me tej thekson ambasada, deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë.

Kur ishte në Tiranë më 21 Maj, (ende pa mbërritur kërkesa në KE), Avramopolous tha se do të bëhet një analizë e kujdesshme nëse kërkesa është në përputhje me procedurat.

Parlamenti holandez më 16 prill votoi mocionin, ku 105 nga 150 deputetë kërkojnë që të pezullohet përkohësisht liberalizimi i vizave për shqiptarët. Kundër Shqipërisë votuan 9 parti politike në Holandë (Partia Socialiste, PvdD, 50plus, VVD, SGP, CDA, CU, PVV, FVD), nga të cilat 3 parti janë pjesë e qeverisë. Madje, pjesë e votimit që kërkojnë pezullimin e vizave janë dhe partitë e dy ministrave, atij të Jashtëm e atij të Drejtësisë, që më herët patën thënë se Shqipëria i plotëson kriteret e veprimit në Shengen.

Robert de Groot , përfaqësuesi i Holandës në BE

Reagimi i plotë i ambasadës

Parlamenti Hollandez i kërkoi Qeverisë hollandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanzimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar. 
Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Hollandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.

Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Hollanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.

Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Avamopolous: Do të bëjmë një analizë të kujdesshme

Më 21 maj,  Komisioneri i Bashkimit Evropian, për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos ishte në Tiranë, kur ende komisionit nuk i kishte mbërritur zyrtarisht kërkesa e Holandës. Ai tha se do të bëhet një analizë e kujdesshme nëse kërkesa është në përputhje me procedurat.

"Ne nuk bëjmë komente për atë që vendoset në nivelin e vendeve anëtare, por për derisa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizimin për pezullimin e vizave, që ka interes të madh për ju, më lejoni t'u them se Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Europë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike" tha Avamopolous.

Komisioneri i BE-së vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për të ndalur fluksin e azilantëve në vendet e BE-së, por shtoi se duhet bërë akoma më shumë, ndërsa kërkoi që të njihen reformat që ka ndërmarrë Shqipëria.

Letra e Holandes per KE-në

Letra e Robert de Groot, përfaqësuesit të Holandës në BE