GJIROKASTËR - Përvjetori i vrasjes së Kostandinos Kacifas një vit më parë në Bularat të Gjirokastrës, solli brenda 24 orëve të fundit 1800 shtetas grekë në territorin shqiptarë. 7 personave u është refuzuar hyrja për shkak se nuk përmbushnin qëllimin e udhëtimit, ndërsa tre të tjerë kanë qenë të shpallur non grata dhe janë kthyer pas në kufi. Në mesin e të kthyerve është edhe një nga ekstremistët grek, Babis Karathano, aktivitet i organizatave të Vorio-epirit, i cili u kthye mbrëmjen e djeshme nga autoritetet, një personazh në hetim nga prokuroria shqiptare për incidentet e një viti më parë në varrimin e Kacifas. Kacifas ishte ekstremist grek i cili nga kodra e fshatit qëlloi me armë mbi policinë pak para se në Bularat të nisnin ceremonitë për festën e Greqisë. Ai u qëllua për vdekje nga RENEA, e cila morri zonën nën kontroll, ngjarje e ndodhur më 28 tetor 2018.

Para varrit të djalit të saj, duke folur në greqisht, në prani të shumë njerëzve, nëna e Kacifas, Vasilia Kacifas ka bërë thirrje për vrasje, dhunë e luftë. “Merrni armët dhe vrisni tradhtarët. Vorio-Epiri është Greqi”, ka thënë Vasilia në greqisht, në mes të Bularatit në Gjirokastrën shqiptare. Ajo ishte e veshur me të zeza dhe shoqërohej në ceremoninë përkujtimore nga bashkëshorti dhe dy vajzat. Ajo i ka cilësuar tradhtarë shqiptarët duke bërë thirrje për t’i vrarë.

Në ceremoninë përkujtimore, familjarët nuk kanë lejuar median shqiptare, por vetëm atë greke. “Na thoni pse keni vrarë djalin. Përse më vini këtu, ikni qërohuni" bërtet i afërmi në shqip. Më pas flet në greqisht: “Jeni turq, vrasës”. Në ceremoninë përkujtimore veç të afërme të të ndjerit kanë mbërritur edhe konsulli grek, Kakisis.

VIDEO/ Moslejimi i mediave nga familjarët e Kacifas

Forca të shumta policore ndodhen në Gjirokastër, por edhe në pjesë të tjera të Jugut të vendit, kryesisht në zonat kufitare, për të evituar çdo incident të mundshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:09
Bëri thirrje për luftë, Dule në krah të nënës së Kacifas: Po terrorizohen nga policia (VIDEO)

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule nga Bularati ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për ekstremistin grek Konstandinos Kacifas akuzoi policinë se po ushtron terror te banorët minoritarë të Dropullit. E ndërsa nëna e Kacifas bëri thirrje për luftë, Dule i doli në mbrojtje duke thënë se shumë familje në fshatin Bularat por dhe në fshatra të tjera janë terrorizuar nga struktura shtetërore.

"Prej disa ditësh lëviz në Sarandë e Gjirokastër është kjo klimë që përshkruhet pyetja juaj. Nëse do shkoni e shikoni në rrethrrotullim në Jorgucat, që shkon për Gjirokastër do shikoni forca policore të pajisura që nuk kanë asnjë lidhje me situatën mbizotëruese në Dropull. Dropulli, sipas të gjitha statistikave është zona më e qetë historikisht në republikë.

Duhet ta dinë nga ministri i Brendshëm tek kryeministri që janë frymëzues të këtyre praktikave se Dropulli nuk mund të realizohet me metoda policeske. Shumë familje në fshatin Bularat por dhe në fshatra të tjera të Dropullit kanë shprehur këtë shqetësim. Jo se janë terrorizuar por ka pasur tentativa nga struktura shtetërore për ti frikësuar dhe terrorizuar. Ju e dini shumë mirë si funksionon shteti në vendin tonë dhe cdo gjë kërkon mënyrën e vet dhe kohën e vet" përfundoi ai.

Ora 11:18
Nëna e Kacifas para varrit të djalit: Çohuni! Rrëmbeni bombat, pushkën e shpatat kundër diktaturës, Vorio-Epiri është Greqi

Para varrit të djalit të saj, Konstandin Kacifas, nëna e tij, në këtë përvjetor të parë të ndarjes nga jeta të tij, ka bërë thirrje të rënda kundër shqiptarëve. Ajo thotë se vorio-epiri është Greqi, dhe se rinia duhet të ngrihen të armatosur kundër një shteti që ajo e quan diktaturë.

Duke folur në greqisht, në prani të shumë njerëzve, një numër i madh i ardhur nga Greqia pikërisht për këtë rast, ajo ka bërë thirrje për vrasje, dhunë e luftë

"Djali im, trimi im, jemi grek, autoktonë, në këtë tokë jemi grek autoktonë, jemi ortodoksë, asnjëri nuk mund të prekë krishterimin tonë dhe kombin tonë. Jemi grekë. Tradhtarët. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë në Kakavijë? Se janë tradhtarë. Çojuni trima, rrëmbeni tokën, jemi grekë autoktonë. Vorio-epiri është tokë greke, nuk na ndalon asgjë. Ju të gjithë të rinjtë, çohuni rrëmbeni shpatat dhe armët, mos kini frikë asgjë, se këta po na frikësojnë, këtu ka diktaturë nuk ka shtet, rrëmbeni bombat, rrëmbeni pushkët. Rroftë bashkimi.  Jam krenare për ty biri im", thotë ajo.

(Të tjerët në kor): Rroftë vorio-epiri.

Ora 11:10
Fredi Beleri ngushëllon familjarët e Kacifas...Gazetarja e nxjerr zbuluar: Dy qëndrime për minoritarët

Kreu i OMONIA-s, Fredi Beleri mori pjesë në ceremoninë përkujtimore së Konstandin Kacifas, ku tha se cilado qofshin rrethanat e vrasjes së tij, është "detyra jonë të ngushëllojmë familjen".

"Presim të ngushëllojmë familjen në mënyrë paqësore. Është detyra jonë të ngushëllojmë familjen, cilado të jenë rrethanat e vdekjes. Presim që ngjarja të zbardhet sa më shpejtë", tha Beleri.

Ai tha se minoritarët në Shqipëri janë të sigurt por teksa gazetarja ju drejtua se ai ka deklaruar ndryshe në një prononcim për mediat greke të pranishme në ceremoni, Beleri nuk u përgjigj.

Fredi Beleri: Minoritarët në Shqipëri janë aq të sigurt, sa janë edhe pjesa tjetër e popullit shqiptar. Ka probleme në mos zbatimin e të drejtave të njeriut që kanë të bëjnë me arsimimin në gjuhën amtare greke të pronave në Himarë, çështje sigurie për mua nuk ka.

Gazetarja: Ju deklaruar të kundërtën në mediat greke.

Para mediave greke, Fredi Beleri tha se me sa ka mësuar janë kthyer me dhjetëra persona në Kakavijë, dhe sipas tij kjo është në frymën e klimës së terrorit që po mbjell policia.

"Pas një viti ende nuk është sqaruar situata, arsyeja pse u vra. Janë kthyer dhjetëra persona në Kakavijë. Shqipëria që do të hyjë në Evropë por nuk respekton të drejtat e njeriut. Ka një klimë terrori në minoritet dhe kjo është arsyeja pse nuk erdhën njerëzit”, u shpreh Bejleri.

Fredi Beleri është i akuzuar bashkë me Babis Karathanon si pjesëmarrës në masakrën e Peshkëpisë. Në prill të vitit 1994 një komando terroristësh grekë hynë brenda kufirit shqiptar duke marrë peng për disa orë një repartin ushtarak të Peshkëpisë. Gjatë pengmarrjes u vranë një oficer dhe një ushtar.