TIRANE - Garat e paligjshme mes të rinjve në rrugën Tiranë-Elbasan, pranë vendit të njohur si rreth-rrotullimi i TEG-ut i kanë marrë jetën një 17-vjeçari rreth orës 22:00  të mbrëmjes së djeshme. 17-vjeçari Kristjan Vasili po bënte gara së bashku me disa miq të tij, në momentin kur u përplas me një makinë në parkuar në anë të rrugës. Ai u dërgua në spital por nuk ka arritur t'i mbijetojë plagëve të marra. Pak orë pas aksidentit, policia vuri në pranga 18 vjeçarin  Fatjol Fusha, duke e akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor ku ndër të tjera nuk ishte i pajisur as me patentë. Ai drejtonte makinën tip Benz me targë AA 131 ZZ, ku ndodhej pasagjerë edhe 17-vjeçari, kur përplasi një “Porsche” të parkuar në anë të rrugës. I riu i arrestuar dyshohet se ishte duke bërë gara të paligjshme shpejtësie me një tjetër makinë, tip “Audi”.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, të identifikuar si  Alban Dervishaj dhe Rei Oka, gjendja shëndetësore e të cilëve tashmë paraqitet pa rrezik për jetën.

Policia njofton se grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të aksidentit.

Të shtunën në mbrëmje, pak para mesnate një tjetër aksident tragjik i mori jetën dy 17-vjeçareve që ktheheshin nga një festë në ditëlindje, ndërkohë që drejtuesi i automjetit me të cilin ato udhëtonin, u vu në pranga sepse nuk ishte i pajisur me leje drejtimi dhe kishte qenë në gjendje të dehur.

Foto nga vendi i ngjarjes

Çdo fundjavë të rinj nga kryeqyteti kryejnë gara me automjetet e tyre sportive pranë mbikalimit të Saukut.