Një lokal në fshatin Vaqarr ishte kthyer në pikë të jashtligjshme të lojrave të fatit, derisa u zbulua sot nga policia

Tre persona përfunduan në pranga, mes tyre edhe pronari i lokalit dhe një klient. 

Operacioni i koduar "Game Over 4" u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët mësynë në ambient të premten duke zbuluar se ishte përshtatur posaçërisht për vënien e basteve sportive përmes celularëve, duke shmangur çdo kontroll ligjor.

Në përfundim policia arrestoi pronarin e lokalit, me inciialet J. G., 30 vjeç, si dhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkorganizatorë të aktivitetit, F. D., 29 vjeç dhe K. D., 31 vjeç.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, në ambientet e lokalit u gjet edhe një 25-vjeçar, i cili po vendoste baste sportive. Ai u vu nën hetim në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi katër telefona celularë, që përdoreshin për vënien e basteve, ndërsa çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës. 

Njoftimi i plotë i policisë

"Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Game Over 4”.Bashkëpunuan për përshtatjen e një lokali në Vaqarr, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, arrestohen 3 shtetas, ndër ta, pronari i subjektit. Procedohet penalisht 1 shtetas që u kap duke luajtur, në ambientet e lokalit. Sekuestrohen 4 celularë me të cilët viheshin baste sportive. Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave “Për goditjen e veprimatarive kriminale në fushën e organizimit të lotarive sportive online”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Game Over 4”. Gjatë operacionit u konstatua se 1 lokal në fshatin Vaqarr, ishte përshtatur për vënie të kundërligjshme të basteve sportive, me celularë. Për këtë rast u vunë në pranga pronari i lokalit, shtetasi J. G., 30 vjeç, si dhe 2 bashkorganizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, shtetasit F. D., 29 vjeç dhe K. D., 31 vjeç. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë, 1 shtetas, i cili gjatë ndërhyrjes së shërbimeve, u konstatua duke vënë baste, në ambientet e lokalit, B. S., 25 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme"