Sali Berisha u pyet 2 orë në SPAK për 21 janarin. Pasi doli nga SPAK Berisha ngatërroi 2 herë datën kur ndodhi krimi shtetëror, duke thënë më 11 janar, dhe jo 21 janar. Berisha sulmoi edhe SPAK dhe Altin Dumanin.
“Kjo mosthirrje flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mosthirrje kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Ky ishte shkaku i mosthirrjes. Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA ka deklaruar dhe ka rideklaruar se mw 11 janar, PS kishte axhendë dhune. Ku janë ata mbështetësit e saj? Nuk janë këtu. Ta marrin vesh ata, pra kishte axhendë dhune. Kjo është e vërteta. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike, që u kushtoi jetën 4 demonstruesve, plagosjen e mbi 120 policëve, etj.
Ishte një proces normal, duhet ta pohoj këtu. Në qoftë se këta që ishin aty, zhvilluan një procedurë në përputhje me ligjin dhe rregullat, kjo nuk mund të thuhet për Dumanin që po pinte kafe, jo me Pojën, po me këtë të fundit që i mori 5 milionë, Kreshnik Farrukun. Po pinte kafe me Kreshnik Farrukun. Po, i shkoi edhe në Manzë Kreshnik Farrukut. Dhe nuk flet gjë, hesht si fija e barit. Ai do heshtë, por unë nuk hesht se do mbroj interesat publike. Thirrja e një njeriu për të dëshmuar në këtë institucion është procedura më normale, por ama nuk është procedurë publike. Jo, nuk është publike. Të thërret, pyet, shkon. Kurse ky Troplini, pa e marrë unë njoftimin, ia shpërndau medieve përmes zyrës së tij të shtypit në një akt të shëmtuar, duke dëshmuar se institucioni i tij është një institucion banal i propagandës socialiste.
Çfarë ka publiku ta marrë vesh para meje se unë jam thirrur për t’u pyetur për 21 janarin? Pra shikoni procedurën e tyre. Një procedurë është krejtësisht diskrete, që nuk ka asnjë lidhje as me mediat, as me publikun, ua jep përpara medieve përpara se të më japë mua.
Dhe bën për hir të Lubi Ballukut dhe Ramaduros, bën 2-3 javë duke furnizuar studiot e televizioneve të kontrolluara nga qeveria që të mos bëjnë debate për vjedhjen e 50 milionë eurove nga Lubi Balluku dhe Edi Rama vetëm në tunelin e Llogarasë, pa thënë skandalin tjetër të aeroportit të Vlorës, por të merren se Sali Berishën e kanë thirrur pas 13 vitesh për të dëshmuar për nj gjë, për të cilën në vlerësimin tim, duhej thirrur që ditën e parë të hetimeve pa asnjë lloj hezitimi.
Unë isha njeriu i rrethuar, njeriu që dritaret iu gjuajtën me gurë, njeriu që u kërkua të përmbyset pushteti i tij, iu kërkua të largohet ose do kalohet mbi kufoma. Këto janë të dokumentuara. Dhe që kishte dalë nga një palë zgjedhje që kishin plotësuar standardet kryesore ndërkombëtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e lira. Por Edi Rama me epshet e pushtetit kërkonte të përmbyste", tha Berisha.
Lajmi kryesor:
21 janari/ Berisha pyetet 2 orë në SPAK dhe mbron krimin shtetëror: Kur ka dhunë, ka edhe vrasje












