Cilët do të jenë vendimet e para të kreut të ri të Bashkisë?
Sipas projektit të paraqitur nga Ministria e Pushtetit Vendor, puna do të nisë fillimisht me kontabilizimin e të ardhurave dhe shpenzimet si dhe me verifikimin e projekteve që janë në zhvillim. Kjo për të shmangur një krizë të mundshme.

Ndërsa nga stafi i Bashkisë së Tiranës është siguruar se nuk ka probleme me buxhetin. Gjithashtu një tjetër vendim do të jetë struktura e Bashkisë si dhe projektimi për administrimin e kryeqytetit, tashmë jo vetëm në të 11 minibashkitë, por dhe në komunat që i janë bashkuar Tiranës, ku veç administratorëve do të kërkohet dhe angazhimi i stafit që do të jetë në shërbim të banorëve të zonave. Një tjetër vendim do të jetë dhe ai i shpërndarjes së banesave sociale, i cili prej 3 vitesh ka mbetur pezull. Gjatë fushatës kreu i ri i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se ky do të jetë ndër vendimet e para që do të merren.

Gjatë fushatës u hodhën dhe akuza për abuzime me financat, si do të veprohet me këtë pikë?
Gjatë fushatës elektorale, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj akuzoi paraardhësin e tij për abuzime me financat. Për këtë është premtuar dhe një auditim i të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve. Ndërkohë që shkeljet që do të mund të gjenden do të bëhen publike për mediat. Po ashtu procesit të auditimit do ti nështrohen dhe lejet e dhëna për ndërtime në Tiranë, ku gjatë fushatës elektorale u debatua dhe për ndërtimet pranë liqenit Artificial.

Por veç auditimit a do të vijojnë projektet e lëna në mes për kryeqytetin?
Gjatë fushatës elektorale, Erion Veliaj ka deklaruar se do të vijojë projektin për zgjatimin e Bulevardit të ri të Tiranës. Por se do të ndryshojë koncepti I zhvillimit të zonës. Kjo për ti dhënë më shumë mundësi hapësirave të gjelbra. Po ashtu, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës ka premtuar një rishikim të planit rregullues të Tiranës, si dhe një rikonceptim të qendrës së kryeqytetit.

Por çfarë pritet të ndryshojë tjetër në kryeqytet?
Një tjetër projekt për Tiranës do të jetë dhe rishikimi i taksave për bizneset, por dhe për banorët. Një nga pikat e propozuara kanë qenë dhe skema që do të përdoret për taksat, ku Veliaj është shprehur se taksa e ndërtimit nuk mund të jetë e njëjtë për objektet që zhvillohen në qendër me ato në periferi, kjo për t’i dhënë më shumë mundësi zhvillimit të periferisë, por dhe për të shmangur sa më shumë dendësinë në qendër të Tiranës. Projekte këto që pritet të diskutohen gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit të Veliajt.

Si është përbërja e këshillit të ri të Bashkisë Tiranë?
Me ndryshimin e hartës së re territoriale, bashkia e Tiranës do të ketë 61 këshilltarë. Në zgjedhjet e 21 qershorit, 42 këshilltarë do të jenë të koalicionit të majtë si dhe 19 do të jenë të opozitës. Nga koalicioni i majtë 25 këshilltarë janë të Partisë Socialiste, 13 të LSI, 3 të PDIU dhe 1 këshilltar është nga FRD, ndërsa në koalicionin e opozitës 17 këshilltarë kanë dalë nga lista e Partisë Demokratike 1 nga LZHK dhe një nga Partia Republikane.

Në këto kushte vetë përbërja e këshillit të ri bashkiak nuk cenon vendimmarrjen apo projektet që do të propozohen prej kryetarit të ri të Bashkisë, aq më shumë kur tashmë mes partive të koalicionit është arritur konsensusi për ndarjen e posteve të nënkryetarëve të Bashkisë apo dhe të drejtuesve të këshillit bashkiak. Ndërkohë që ende nuk është arritur në kompromisin për sa i përket administratorëve, por dhe drejtuesve të tjerë të institucioneve që janë në varësinë e bashkisë së Tiranës.

A do të preken banorët e komunave që shkrihen nga harta e re territoriale? 
Me ndarjen e re administrative shumë prej komunave rreth Tiranës, janë bërë pjesë e bashkisë së madhe, ndërsa  në vend të kryetarëve të komunave do të miratohen administratorët. Po ashtu dhe pranë minibashkive në kryeqytet do të vendosen  11 administratorë. Ndërkohë që nuk do të ndryshojnë shërbimet që më parë minibashkisë dhe komunat ju ofronin banorëve.

I vetmi ndryshim do të jetë ai i emërtesës si dhe i shkurtimit të punonjësve dhe shkrirja e këshillave bashkiakë. Megjithatë për kompetencat konkrete dhe formën e organizimit do të miratohet një ligj i posaçëm mbi decentralizimin i cili do të përcaktojë si ndarjen e detyrave mes pushtetit qendror dhe atij vendor, ashtu dhe kompetencat që do të ketë secila nga palët.