Qama: Zonat e përmbytura të
pasiguruara, i përballon buxheti

Qama: Zonat e përmbytura të<br />pasiguruara, i përballon buxheti
TIRANE - Në territorin shqiptar numërohen vetëm 35 mijë objekte të siguruara, të përqendruara në kryeqytet, që do të thotë se të gjitha kostot e shkaktuara nga përmbytjet e fundit do të përballohen tërësisht nga buxheti i Shtetit. Alma Qama, konsulente për përmbytjet dhe sigurimet thotë se veçanërisht në zonat e prekura nga përmbytjet, situata e sigurimeve është inegzistente. Dëmshpërblimi për banesat dhe bizneset e dëmtuara do të përballohet tërësisht nga buxheti i shtetit.

“Situata e sigurimeve është pothuajse inegzistente në këto zona dhe në të gjithë vendin, përsa i përket sigurimit nga katastrofat natyrore, kuptohet që barra më e madhe e mbulimit të dëmeve ose kompensimit të dëmeve që janë në rastin e përmbytjeve të jugut katastrofike, do t'i takojë qeverisë dhe shtetit”, u shpreh Qama.

Ekspertja e shpjegon mungesën e plotë të sigurimit të pronës në këto zona me hezitimin e të dyja palëve, si të qytetarëve e kompanive, por edhe të shoqërive të sigurimit ndërsa te qytetarët mungon kultura e sigurimit të pronës, vetë kompanitë e sigurimeve hezitojnë të sigurojnë zonat me risk të lartë ndaj fatkeqësive natyrore.

“Së pari kultura e sigurimit është ende shumë e ulët në Shqipëri, për shkak edhe të një moshe relativisht të re, të industrisë se sigurimeve në Shqipëri, por këtu kemi dhe problemin e hezitimit nga ana e shoqërive të sigurimit për të ofruar sigurim të përmbytjes vetëm për zonat që janë të ekspozuara ndaj saj”, theksoi zonja Qama. 
 
Duket se situata është e ngjashme në të gjithë Ballkanin. Me kosto të larta dëmshpërblimesh përballen edhe qeveritë e vendeve të rajonit, disa prej të cilave ende nuk kanë arritur të dëmshpërblejnë subjektet e dëmtuara prej vitesh.

“Më duhet të theksoj që të ngjashme me Shqipërinë ka dhe gjithë rajoni. Në qoftë se përmendim përmbytjet e vjetshme në Serbi dhe Bosnje, ato që ishin gjithashtu katastrofike. Edhe aty barra e pagesës së gjithë dëmtimeve ndaj përmbytjeve u mbajt nga shteti”, tha konsulentja për përmbytjet dhe sigurimet.

Ndërsa Shqipëria cilësohet si vend me risk mjaft të lartë nga fatkeqësitë natyrore veçanërisht nga tërmetet, nën konsulencën e Bankës Botërore po shqyrtohet mundësia që sigurimi nga fatkeqësitë natyrore të bëhet i detyrueshëm.

“Ka eksperienca shumë të mira, madje dhe në rajon që kanë bërë të detyrueshëm sigurimin ndaj katastrofave natyrore ndër këto vende mund të përmendim dy skema që janë mbështetur dhe nga Banka Botërore, skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti në Turqi, për shkak se Turqia është e ekspozuar kryesisht nga tërmetet dhe skemën e sigurimit nga katastrofat natyrore në Rumani që përfshin tërmetin, përmbytjen dhe katastrofa të tjera natyrore”, përfundoi Qama.
 
Redaksia Online
(Gre.M/a.ç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet parlamentare 2025, sipas jush si duhet të votojë diaspora?



×

Lajmi i fundit

Mashtruan me microcredite në vlerën 7.2 mln euro, Banka e Shqipërisë revokon licencën për 'Micro Credit Albania' dhe 'Final'

Mashtruan me microcredite në vlerën 7.2 mln euro, Banka e Shqipërisë revokon licencën për 'Micro Credit Albania' dhe 'Final'