Vlorë - Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi qarkullonte me pistoletë.

Në pranga ka rënë edhe shoferi 37-vjeç për moskallëzim krimi.

Gjatë kontrolleve blutë sekuestruan armën e zjarrit (pistoletë), automjetin dhe 2 celularë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Siguria”.

Gjatë operacionit, në lagjen “Kushtrimi”, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit R. H. dhe A. Ç. Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit, shtetasit R. H., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

 -R. H., 23 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

 -A. Ç., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë