Qazim Laçi ishte i fundit nga legjionarët e Kombëtares të cilët lanë shenjë pozitive këtë fundjavë. Mesfushori i Rizespor ishte ‘ëngjëll dhe djall’ në ndeshjen që skuadra e tij u mposht 2-5 nga Fenerbahce. Fillimisht në minutën e 15 Laçi ekzekutoi në perfeksion një goditje dënimi, duke mposhtur portierin brazilian Ederson dhe duke i dhënë përkohësisht avantazhin e dyfishtë skuadrës së tij. Megjithatë kur nisi përmbysja dhe kur rezultati ishte 2-2 Laçi la në baltë skuadrën e tij, duke marrë kartonin e dytë të verdhë dhe duke u larguar me të kuq nga fusha.
Te goli, pas gati dy muajsh mungesë, u rikthye Mirlind Daku. Sulmuesi i kombëtares vonoi, por realizoi për 3 pikët në ndeshjen që Rubin Kazan fitoi 1-0 kundër Akhmat Groznyt. Megjithatë për të dhe kombëtaren shqiptare pati disa kritika nga trajneri Kazanit, pasi sipas tij Daku nuk është stërvitur profesionalisht te kuqezinjtë.
Në Poloni vijon të shkëlqejë Julian Shehu. Mesfushori kuqezi realizoi golin e vetëm për Lodz në humbjen 1-3 kundër Kielces. Për Shehun ky ishte goli i 4 sezonal, ndërsa ka dhuruar edhe 3 asist, duke qenë një sinjal shumë pozitiv për kuqezinjtë, të cilën do përgatiten për ndeshjen e ‘play-offit’ të botërorit ndaj Polonisë.
Padiskutim që lojtari momentit te kombëtarja është Arbër Hoxha. Në ditën që mori trofeun e lojtarit të muajit tetor në Kroaci, realizoi dy gola në fitoren 3-1 që Dinamo Zagreb mori kundër Varazdin. Me këtë paraqitje Hoxha hedh themelet si kandidat për lojtarin e muajit për herë të tretë radhazi, teksa kanë nisur zërat për një transferim të mundshëm në Angli.
Për t’u përmendur që këtë fundjavë pas shumë kohësh Nedim Bajrami mori minuta me Rangers në kampionatin skocez, ndërsa si zëvendesues u aktivizuan edhe Armando Broja e Indrit Tuci.
Komente









