Brenda 24 orëve shënohet ngjarja e dytë kriminale në qytetin e Korçës. Një efektiv policie është plagosur paraditen e sotme me thikë nga një 48-vjeçar. Polici i rendit i plagosur është Spartak Zotka. Ai nuk ishte në detyrë në momentin që u qëllua.

Zotka ishte duke ecur në pedonale në momentin që 48-vjeçari me inicialet I. F. i ka dalë përpara në befasi duke e qëlluar në fytyrë. Shkak i plagosjes sipas policisë është fakti se polici e kishte gjobitur qytetarin dy ditë më parë, pasi e kishte kapur duke lëvizur në këmbë pa autorizim. Në shenjë hakmarrje, 48-vjeçari tentoi ta vrasë duke e qëlluar me thikë në fytyrë.

Gjendja shëndetësore e policit paraqitet e mirë, ndërsa ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital. Autori është arrestuar nga policia, ndërsa i është sekuestruar edhe thika me të cilën qëlloi efektivin. Mbrëmjen e djeshme po në Korçë, fqinji vrau pas sherrit për dritën e shkallës një 67-vjeçar.