Sipas policisë: Besard Kolë Bungaja, Lekë Thani, Nikollë Shpati, Mentor Bungaja, Nikë Tonaj, Pal Dushku, Pëllumb Dushku, Gjin Guri, Kolë Bungaj, Gegë Kola; janë 10 personat që kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të uniformave blu.
Vetë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi sot një takim me drejtuesit e policisë në zonë, si dhe me banorë të zonës. Tahiri, theksoi se lufta ndaj kanabisit do të vijojë deri në rrënjën e fundit, ndërsa u bëri thirrje kultivuesve të cilët kanë qëlluar ndaj policisë që të dorëzohen, pasi janë identifikuar dhe nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale.
"Ne jemi shumë të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses Po i japim fund një herë e mirë praktikës së deri tanishme që e njihte botërisht Shqipërinë si vendi i lulëzimit të lëndëve narkotike. Aksioni do vijojë deri në rrënjën e fundit. Unë i bëj thirrje autorëve që të dorëzohen dhe as të mos e çojnë ndër mend që mund të ja dalin të përballen me policinë e shtetit dhe as të mos e çojnë ndër mend që mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që ka të bëjë me aktivitetin kriminal që kanë kryer deri tani, por edhe me kundërshtimin edhe me armë të forcave të policisë." u shpreh Ministri Tahiri
Nga ana tjetër, policia njoftoi se ka vënë në dispozicion 100 mijë euro për personat që do i vijnë në ndihmë policisë për kapjen e personave që qëlluan me armë ndaj uniformave blu, si dhe ka thirrur kryetarin e Komunës Pult, Sokol Martini, për të bashkëpunuar më uniformat blu për zgjidhjen e kësaj situate.
Ndërsa familjarët dhe të afërmit e tyre u bëjnë thirrje të tërhiqen, pasi policia nuk do të tërhiqet dhe është e vendosur për zbatimin e ligjit. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar nga sulmi ndaj uniformave të policisë. Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
(Në foto: Efektivi i FNSH gjatë operacionit antikanabis në Dukagjin) Foto të tjera
Aksioni për ditën e sotme ka filluar prej orës 7 të mëngjesit dhe drejtohet nga kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Në terren gjatë ditës së sotme, janë angazhuar rreth 200 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, të Komisariatit Special RENEA, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe shërbime të tjera të specializuara, si oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë.
Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni, nga shërbimet e policisë në terren është bërë i munduar asgjesimi i mbi 45 mijë rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa, ku për çdo rast në vendngjarje janë kryer veprimet procedurale përkatëse.
"A1 Report" disponon edhe foto ekskluzive nga operacioni i Policisë së Shtetit në Dukagjin ditën e sotme.
ORA 15:30 Tahiri: Aksioni deri në rrënjën e fundit, autorët dorëzohuni
Ndërkohë që aksioni antikanabis i policisë në Dukagjin vijon ditën e tretë të tij, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është nisur mesditën e sotme drejt Shkodrës, ku zhvilloi një takim me drejtuesit e policisë në zonë, me drejtuesit e policisë së qarkut dhe me banorë të zonës.
Në fjalën e tij gjatë takimit Ministri Tahiri, teksa vlerësoi si të shkëlqyer punën e policisë, theksoi se lufta ndaj kanabisit do të vijojë deri në rrënjën e fundit, ndërsa rikonfirmoi vendosmërinë e qeverisë që Shqipëria të mos jetë më kopsht i kanabisit në Evropë. Ai u bëri thirrje autorëve të dorëzohen, pasi janë identifikuar dhe nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale.
"Ne jemi shumë të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses ashtu siç jemi shumë të vendosur që luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike ta çojmë deri në fund. Kemi trashëguar një Shqipëri të mbjellë çdo pëllëmbë me drogë dhe jemi mjaft të vendosur ta pastrojmë një herë e mirë Shqipërinë nga zaptimi i çdo hapësire të gjelbër dhe të mbjellë me lëndë narkotike. Po i japim fund një herë e mirë praktikës së deri tanishme që e njihte botërisht Shqipërinë si vendi i lulëzimit të lëndëve narkotike. Gjithçka do bëhet sipas ligjit. Aksioni do vijojë deri në rrënjën e fundit." theksoi Ministri i Brendshëm
Sa i përket të shtënave me armë ndaj policisë nga ana e kultivuesve, Ministri u shpreh se personat janë identifikuar dhe se askush nuk do të mund t’i shmanget përgjegjësisë ligjore. Ministri i Brendshëm u bëri thirrje autorëve të dorëzohen, pasi siç theksoi ai, ata nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale.
Tahiri nënvizoi se po bashkëpunohet në mënyrë intensive me Prokurorinë, dhe se do të ketë ndjekje penale ndaj autorëve përgjegjës të aktivitetit kriminal.
"Policia e shtetit ka bërë me dije gjatë orëve të para të paradites personat të cilët dyshohen si të implikuar. Bashkë me Prokurorinë jemi në fazë hetimesh intensive. Dimë shumë më shumë ne për aktivitetin e atyre që kanë kultivuar lëndë narkotike deri tani dhe që në këto momente edhe e çojnë ndër mend që mund të kundërshtojnë policinë, të cilëve jua merr mendja vetë atyre që t’u bëjnë bisht përgjegjësisë penale që do mbajnë para ligjit. Unë i bëj thirrje që të dorëzohen dhe as të mos e çojnë ndër mend që mund të ja dalin të përballen me policinë e shtetit dhe as të mos e çojnë ndër mend që mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që ka të bëjë me aktivitetin kriminal që kanë kryer deri tani, por edhe me kundërshtimin edhe me armë të forcave të policisë." nënvizoi Tahiri
(VIDEO A1 Reoport: Deklarata e ministrit Tahiri pas takimit me drejtuesit e policisë në Shkodër)
(Në foto: Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë takimit në Shkodër me drejtuesit e policisë)
I pranishëm në takim ishte edhe drejtori i policisë së shtetit Artan Didi, i cili është edhe në krye të aksionit të cilësuar si Lazarati 2, ku u shpreh se policia do t’i përgjigjet të shtënave me armë të kultivuesve. Kryepolici theksoi se aksioni do të vazhdojë edhe në zonë të tjera, ndërsa shtoi se është asgjësuar pjesa më e madhe e sasisë së kanabisit të zbuluar në këto zona.
"Ecuria e deritanishme është sipas planifikimit dhe kemi kryer pjesën më të madhe të asgjësimit të bimëve narkotike dhe në ato zona që i kemi pasur prioritare dhe që kanë pasur më tepër kultivim dhe në ditët në vazhdim do të vijojmë në zona të tjera dhe do të qëndrojmë atje deri në rrënjën e fundit siç tha edhe zoti Ministër." tha Didi
(Në foto: Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë takimit në Shkodër me drejtuesit e policisë)
(Në foto: Aksioni i policisë i sotëm në Dukagjin) Foto të tjera
(Në foto: Helikopteri i cili mbeshtet nga ajri operacionin antikanabis në Dukagjin) Foto të tjera
ORA 13:10 Antikanabis në Shkodër, rinisin fluturimet me helikopter
Kanë rinisur fluturimet me helikopter mbi zonën e Dukagjinit, për realizimin e aksionin antikanabis të policisë në Shkodër. Monitorimet nga ajri u ndërprenë ditën e djeshme, pasi një helikopter i policisë u qëllua me armë zjarri. Mësohet se ditën e sotme, në ditën e tretë të aksionit antikanabis të Policisë së Shtetit në Dukagjin, janë ngritur në fluturim dy helikopterë, një BO 105 një helikopter AB 205, njëri i RENEA-s dhe tjetri i ushtrisë.
Po kështu edhe gjatë operacionit të sotëm të policisë në komunë Pult, ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të uniformave blu.
Didi për “A1 Report”: Ndaj policisë u qëllua nga dy drejtime
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi ka dhënë informacione të detajuara në lidhje me atë se çfarë po ndodh deri më tani gjatë aksionit antikanabis në Dukagjin. Në një lidhje telefonike për “A1 Report” nga Dukagjini, ky po kryeson operacionin e policisë, Didi shprehu vendosshmërinë e Policisë së Shtetit për të çuar deri në fund këtë operacion. Sa i takon aksionit të ditës së sotme, Didi tha se ndaj policisë është qëlluar nga dy drejtime.
“Sipas informacioneve është qëlluar nga dy drejtime. Kemi kërkuar edhe bashkëpunimin e pushtetit vendor dhe të banorëve për dorëzimin e këtyre personave që kanë qëlluar në drejtim të policisë. Ky operacion do të vazhdojë disa ditë në këtë vend, ajo që krijon probleme dhe vonesa është terreni i thyer. Por puna po vijon”, u shpreh Didi.
Ndërsa duke bërë një krahasim me operacionin antikanabis të realizuar në Lazarat, kreu i Policisë së Shtetit tha se situata në Dukagjin është ndryshe, pasi banorët janë më të qetë dhe vijojnë jetën e përditshme.
“Krahasuar me situatën në Lazarat mund të themi se situata është më e qetë. Banorët vazhdojnë jetën e tyre të përditshme”.
Ndërkaq, Didi tha se ky operacion has vështirësi edhe për shkak të terrenit të thyer malor ku po realizohet.
“Terreni i thyer krijon vonesa, por operacioni vazhdon. Ky operacion ka vështirësitë e veta, pasi edhe një helikopter na u dëmtua. Policia e shtetit kontrollon çdo metër katror të territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky është mesazhi në luftën ndaj drogës në vendin tonë”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi.
RENEA merr aprovimin të qëllojë me snajper ndaj personave që hapin zjarr
Forcat Speciale RENEA, marrin “OK” për t’ju kundërpërgjigjur dhe qëlluar me snajper ndaj personave të armatosura, kultivues apo roje të parcelave me kanabis në Dukagjin.
Goditja me snajper do të kryhet vetëm në rastet se qëllohen nga grupet armatosura, apo këto grupe hapin zjarr dhe rrezikojnë jetën efektivëve të policisë që lokalizojnë dhe asgjësojnë kanabis në terren.
Lajmi konfirmohet nga burime të besuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe grupit të komandimit të forcave në terren. Në të tre ditët e operacionit për asgjësimin e kanabisit në zonat e Dukagjinit ka patur të shtëna me armë ndaj policisë.
Nga të shtënat nuk ka patur persona të dëmtuar, qofshin këta efektivë policie apo edhe nga vetë personat që qëllojnë ndaj uniformave blu. Policia është duke ndjekur thuajse të njëjtin skenar si në Lazarat, ku gjatë kthimit të zjarrit nuk është qëlluar drejtpërdrejt ndaj personave të armatosur por në ajër.
Kjo për t’u treguar se janë të gatshëm për të ndërhyrë dhe duke u lënë edhe një mundësi personave të armatosur të tërhiqen apo të dorëzojnë armët.