SHKODËR - Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia ditën e sotme pasi ka kanosur me armë zjarri një 20-vjeçar, duke qëlluar me automatik në ajër.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë”, ndërsa policia bën me dije se është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se Altin Shpendi qëlloi në ajër gjatë konfliktit.

"Nga veprimet e para procedurale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Sh. ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër",- njofton policia.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.