Report Tv ka siguruar videon e momentit kur forcat RENEA, nën drejtimin e prokurorit, kanë rrethuar makinën e Nertil Buzit pasi ai u vetëvra.
Ky është momenti që pasoi kontaktin mes 35-vjeçarit dhe efektivit Mariglen Korroveshaj që negocioi me të për të liruar 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, të cilën e mbajti peng për disa orë në makinë.
Pasi Buzi u bind dhe e liroi vajzën, efektivi e mori në krah duke e larguar disa metra më tej nga automjeti. Më pas, ai e vendosi Rozalinda Plakën në anë të rrugës dhe u rikthye pranë makinës për të vijuar negociatat me autorin. Por ai refuzoi të dorëzohej dhe u vetëvra brenda makinës, ku qëndronte i ngujuar prej disa orësh.
Mëngjesin e 24-korrikut Refit Buzi shkoi me armën e gjahut në banesën e Rozalinda Plakut në Vidhisht të Roskovecit dhe hapi zjarr me armë gjahu ndaj familjarëve të saj. Babai i vajzës, Kosta Plaku humbi jetën në vend, ndërsa e ëma, Belere Plaku, vdiq në mbrëmje në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Të rinjtë kishin qenë të fejuar para disa vitesh, por lidhja ishte ndërprerë nga Rozalinda. 24-vjeçarja vijonte studimet për infermieri në Tiranë, ndërsa autori ishte kthyer nga emigracioni pas disa vitesh në Angli. Familjarët pretendojnë se ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kërcënonte vazhdimisht.
Familjarët e autorit japin një tjetër version për konfliktin. Sipas tyre, përplasja mes çiftit lidhet edhe me një shumë parash që Buzi pretendon se ia kishte dërguar ish-partneres gjatë kohës që jetonte në Angli.
Komente











