Dy persona janë arrestuar dhe 9 janë vënë nën hetim për sulmet me vezë e sende të forta ndaj eskortës së kryeministrit Edi Rama ndërsa udhëtonte dje drejt Gjirit të Lalzit për Asamblenë e PS.

Të arrestuarit janë të moshave Edison Lika, 28 vjeç dhe Albi Dema, 37 vjeç, ndërsa ata nën hetim 23-50 vjeç.

Incidenti ndodhi në fshatin Kameras, ku grupi i protestuesve thirri “Rama në burg, Berisha në burg” ndërsa gjuanin eskortën.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. L., 28 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Gjithashtu, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

E. P., 33 vjeçe, D. G., 50 vjeç, O. D., 34 vjeç, M. C., 28 vjeçe, L. A., 24 vjeçe, I. R., 31 vjeç, N. S., 23 vjeçe, J. S., 25 vjeçe, të tetë banues në Tiranë, si dhe I. Ll., 27 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Këta shtetas, më datë 14.11.2026, rreth orës 10:00, në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas–Gjiri i Lalzit, kanë tentuar të bllokojnë rrugën dhe kanë hedhur vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.