Intensiteti i protestave në Francë ka shënuar rënie në ditën e 6-të pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel M nga policia. Ministria e Brendshme numëroi të hënën 78 arrestime për autorë incidentesh - kundrejt 322 personave të prangosur një ditë më pare.
Raporti i policisë për herë të parë pas 6 ditësh nuk përmban incidente të mëdha dhe serioze dhe konfirmon prirjen drejt qetësimit të trazirave pavarësisht sulmit në shtëpinë e kryebashkiakut të Haÿ-les-Roses. Të dielën në mbrëmje, presidenti Emmanuel Macron mblodhi anëtarët e qeverisë për një raport të situatës, ndërsa sot do të presë presidentët e Asamblesë Kombëtare dhe Senatit e më pas kryetarët e bashkive.
Përgjatë javës së kaluar Franca u pushtua nga protestat që sollën shkatërrime në qytete ndërsa numri i të arrestuarve të enjten arriti në 2300. Gjyshja e të riut Nahel M, bëri thirrje dje për qetësimin e protestave ndërsa familjarë të tij apeluan për ndryshimin e ligjit për përdorimin e forcës dhe të armëve nga policia.