TIRANE- Qeveria shqiptare dënon me ashpërsinë më të madhe provokacionin e rrezikshëm, goditjen me artileri të forcave ushtarake siriane, të territorit të Turqisë, që u shoqërua me viktima në popullsinë civile, si një akt të rëndë, dhunim të normave dhe ligjeve ndërkombëtare, cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Turqisë.

Duke mbështetur plotësisht Qeverinë Turke dhe Kryeministrin Turk, reagimin e ligjshëm të tyre ndaj këtij akti tejet të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, Qeveria Shqiptare, në një deklaratë, i bën thirrje Komunitetit Ndërkombëtar të bëjë çdo gjë që Bashar al-Assad, kasapin e popullit sirian dhe regjimit të tij, t’i rezervojë fundin që meriton.

"Republika e Turqisë, që nga fillimi i krizës është përballur me pasoja të rënda, të gjithanshme të saj, ka mobilizuar burime të mëdha financiare, njerëzore, për të përballuar krizën humanitare të krijuar nga kasaphana e Bashar al-Assad, ndaj popullit të tij. Bombardimi i territorit turk nga diktatori sirian është një thirrje tjetër për t’i dhënë atij përgjigjen më të merituar" thuhet në deklaratën e qeverisë shqiptare.
(sg/shqiptarja.com)