TIRANE - Një akt i Këshillit të Ministrave, i miratuar ditën e sotme, ka vendosur ezekutimin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut në favor të ish-punonjësit të ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, të ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dënuar për vrasje, por me ulje dënimi për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë amerikane.

Shuma e akorduar është 1500 euro, që do të jepet për dëmin moral që i është shkaktuar Rrapos nga vendimi i qeverisë shqiptare për të zbatuar marrëveshjen me shtetin amerikan për ekstradim të të kërkuarve. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e kishte marrë vendimin më datë 25.9.2012, për çështjen nr.58555/10 “Rrapo kundër Shqipёrisё”.

Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Shuma e përcaktuar si detyrim do të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, Almir Rrapo dhe do të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

Pagesa e shumës së depozituar do të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda marsit 2013. Në rast mospagimi brenda këtij afati, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Europiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)