PRISHTINË, 5 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të rregullt, të dymbëdhjetën me radhë. Në mbledhje janë shqyrtuar dhe miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, është aprovuar nga kabineti qeveritar dhe i njëjti do të procedohet për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për themelimin e një Komisioni Ekzekutiv për shqyrtimin e mundësisë për faljen e borxheve të personave fizikë dhe juridikë, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, deri në 31 dhjetor 2008. Komisioni brenda një muaji do të shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe do t'i rekomandojë vendimin qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se ky vendim do të stimulojë edhe më shumë zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Në vazhdim, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovimin e Katalogut të Vendeve të Punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin në Tabelat e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, me qëllim të përmbushjes së detyrimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projektet kapitale shumëvjeçarë.
Me vendimin e aprovuar sot në mbledhje, është autorizuar ministri i Financave që të aprovojë transferte nga programi i Shpenzimeve të Paparashikuara për shumat individuale që nuk kalojnë njëzetmijë euro.
Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe vendimin për aprovimin e Koncept dokumentit për ngritjen e nivelit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i cili rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit ekzistues ose hartimin e ligjit të ri.
Në mbledhjen e sotme qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për plotësimin e vendimit për themelimin e Komisionit Qeveritar për privatizimin e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe furnizim me energji elektrike.
Programit Legjislativ për vitin 2015 të Qeverisë së Republikës së Kosovës i është shtuar edhe hartimi i Projektligjit për përgjimet e komunikimeve elektronike, me vendimin e sotëm të kabinetit qeveritar. Ky ndryshim vjen si nevojë, pas kthimit nga Kuvendi i Kosovës në Qeverinë e Kosovës për ridraftim të Ligjit për Përgjimet e Komunikimeve Elektronike.
Me një vendim tjetër të miratuar nga kabineti qeveritar është autorizuar Dogana e Kosovës që të lejojë importin e lodrave duke u bazuara në dokumentin e konformitetit të lëshuar nga prodhuesi në vendin e prodhimit.
Qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e shtatë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Manifestimet do të mbështeten me 50 000 euro nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Qeveria kosovare ka themeluar edhe Këshillin Organizativ për Manifestimin gjithëpopullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila do të organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Edhe ky manifestim do të mbështete me 50 000 euro nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka informuar kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Kroaci dhe takimet e zhvilluar në këtë vend. Në këto takime është biseduar, sipas ministrit Murati, për integrimin e diasporës kosovare në këtë vend dhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve./k.s/











