TIRANË -Këshilli i Ministrave miratoi sot një garanci bankare, për të garantuar si qeveri huanë ndërmjet bankës Raiffeisen, bankës Intesa Sanpaolo dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, në masën totale prej 40 milionë eurosh.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se qëllimi i parë i kësaj garancie është mundësimi i KESH-it për të kryer importin e energjisë. “Për të përballuar situatën e krijuar nga mospërmbushja e këtij detyrimi shumë të rëndësishëm, autoritetet shqiptare duhet të autorizojnë KESH-in për të importuar energji dhe, natyrisht, të garantojnë edhe shumën e domosdoshme për importin e saj. Një pjesë të kësaj kredie, KESH është i autorizuar ta përdorë për të blerë energjinë që prodhojnë hidrocentralet e reja, të cilat kanë bërë investimin dhe tani janë shndërruar në një burim të rëndësishëm furnizimi me energji të vendi, një burim gjithnjë në rritje” tha ai.

KESH-i ka grumbulluar aktualisht një borxh të madh financiar ndaj këtyre kompanive, disa prej të cilave madje kanë hapur ndaj tij edhe një gjyq civil.

Po ashtu, qeveria ka vendosur të heqë TVSH-në për cimenton dhe celikun duke lehtesuar barrën financiare, sidomos për ata që merren me ndërtimin e HEC-eve.
(gk/shqiptarja.com)