Qeveria gjermane paraqet masat e kursimeve

Qeveria gjermane paraqet masat e kursimeve

Scholz, Habeck dhe Lindner paraqesin masat e shkurtimeve

Hiqen subvencionet për naftën për fermerët, vendosen taksa për biletat e avionëve, forcohen rregullat për ndihmën sociale.

Qeveria gjermane ka arritur një marrëveshje për masat shtrënguese shtesë për të reduktuar barrën mbi buxhetin federal për vitin 2024. Projektligji për financimin e buxhetit ndër të tjera përfshin uljen e diskutueshme të subvencioneve të naftës për fermerët, taksat më të larta për trafikun ajror dhe sanksione më të rrepta në fushën e ndihmës sociale për të papunët.

Këto masa kursimi janë të nevojshme sepse, sipas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, qeveria duhet të kompensojë një mungesë financiare prej rreth 30 miliardë eurosh në buxhetin bazë, si dhe në fondin e klimës dhe transformimit.

Pavarësisht protestave, hiqen subvencionet për naftën për fermerët

Nga maji do të rriten taksat për biletat e fluturimeve me avion. Në varësi të destinacionit përfundimtar të udhëtimit, biletat duhet të rriten me pothuajse një të pestën - në 15,53 deri në 70,83 euro për pasagjer.

Taksa e biletës do të paguhet për të gjithë pasagjerët që nisen nga aeroportet gjermane. Tarifat shtesë do të duhet të paguhen nga kompanitë ajrore, por ato do të mund t'ua kalojnë këto taksa pasagjerëve. Nisur nga kjo, qeveria në Berlin këtë vit pret të ardhura shtesë prej rreth 400 milionë eurosh.

Qeveria i qëndroi vendimit edhe për uljen shumë të diskutueshme të subvencioneve në sektorin e bujqësisë – pavarësisht protestave të fermerëve. Po flasim për heqjen graduale të stimujve tatimorë për naftën. "Është një kontribut i veçantë për uljen e subvencioneve që dëmtojnë klimën”, thuhet në projektin e qeverisë. Deri më tani fermerët kanë mundur të marrin një rimbursim të pjesshëm të taksës së energjisë për naftën, me kompensim prej 21,48 cent për litër.

Koalicioni qeverisës gjerman në fakt fillimisht planifikonte të shkurtonte menjëherë dhe plotësisht këtë ndihmë, e cila jepet që nga viti 1951. Fermerëve dhe kompanive të prekura në sektorin agrar tani u është dhënë më shumë kohë për t'u përshtatur. Këtë vit, shkalla e subvencioneve do të ulet me 40 për qind, ndërsa në vitin 2025 dhe 2026 me 30 për qind shtesë. Nga viti 2026, këto subvencione nuk duhet të ekzistojnë më.

Drita jeshile për shkurtimin e ndihmave sociale

Kabineti dha dritën jeshile edhe për shkurtimin e planifikuar të ndihmës sociale për të papunët, të ashtuquajturin "Bürgergeld”. Në të ardhmen, zyrat e punësimit (Jobcenter)do të mund të anulojnë plotësisht për dy muaj, ndihmat për personat e papunë që refuzojnë me këmbëngulje punët e ofruara.

Pritet që kjo rregullore të sjellë kursime prej rreth 170 milionë euro në vit – 150 milionë për qeverinë federale dhe 20 milionë për komunat. Në të njëjtën kohë, ndihma e dhënë për banim dhe ngrohje nuk duhet të hiqet.

Përveç kësaj, do të hiqen edhe i ashtuquajturi bonusi i ndihmës sociale prej 75 euro në muaj, i cili është futur për trajnimin e mëtejshëm të të papunëve. Pritet që kjo të sjellë kursime shtesë prej 100 milionë eurosh. Trajnimet që synojnë marrjen e diplomës profesionale do të vazhdojnë të mbështeten me 150 euro në muaj.

Vendimi për buxhetin ndoshta në janar

Pasi qeveria mori një vendim për masat shtrënguese, parlamenti gjerman është tani në lëvizje. Qeveria pret që buxheti fillimisht të miratohet në janar në Bundestag dhe më pas në seancën e 2 shkurtit në Bundesrat. Deri atëherë në fuqi është i ashtuquajturi Menaxhimi i përkohshëm i buxhetit./DW

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ngrini' dialogun me Serbinë, Hasani: Propozimi i Ramës për Kosovën realist, logjikë e diskutuar me partnerët

'Ngrini' dialogun me Serbinë, Hasani: Propozimi i Ramës për Kosovën realist, logjikë e diskutuar me partnerët