TIRANE- Qeveria  e re e kryeministrit Rama hap konkurs publik për vendet e lira të punës në njësitë e kryeministrisë.  Zv/ kryeministri Niko Peleshi ftoi të gjithë të rinjtë, të cilët janë kreativë dhe dinamikë dhe të zotë të bëhen pjesë e këtij konkursi i cili do të hapet javën tjetër.

 “Për herë të parë në Shqipëri, ne do synojmë praktika të rekrutimit të jenë të ndryshme nga ato tradicionalet. Për herë të parë në Shqipëri rekrutimi do kryhet nga qendrat e vlerësimit. Qëndrat e vlerësimit janë ato qëndra të cilat mundësojnë meritokracinë të vijë në vendin e punës.

Pra praktikat e reja të rekrutimit janë ato që të udhëheqin këtë proçes të rekrutimit të profesionistëve të spikatur të studiuar në Shqipëri apo jashtë vendit, të kualifikuar, të talentuar apo ekselentë. Qëllimi i këtyre konkurseve do jetë tepër i qartë, kryeministria do jetë qendra e ekselencës të administratës Shqipëtare. I ftojmë të gjithë të interesuarit, të rinj apo jo të rinj të cilët ndihen të aftë të jenë pjesë e ekselencës", tha Peleshi. Ai gjithashtu ka përmendur edhe disa nga njësitë e reja të krijuara, si ajo për mbështetje strategjike të biznesit; njësia e kërkimit dhe inovacionit, njësia e prioriteteve, dhe njësia e marrëdhënieve me qytetarët dhe komunikimit.


(sg/shqiptarja,com)