Qeveria hapi pesë tendera për
HEC-e në periudhë zgjedhjesh

Ndonëse pika 7 e marrëveshjes, së arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe shefit të opozitës Lulzim Basha, më 18 maj të këtij viti, për zhbllokimin e ngërçit politik në vend, detyronte palët shprehimisht për “pezullimin e çdo iniciative për kontrata të përkohëshme në nivel qëndror dhe vendor”, gjatë qershorit ministria e Energjisë dhe Industrisë ka hapur gara për pesë hidrocentrale vendorë, të cilët, për nga fuqia dhe investimet, bëjnë pjesë ndër veprat mesatare hidroenergjetike.

Pesë koncesionet me partneritet publik-privat për ndërtimin e hidrocentraleve janë shpallur në muajin qershor dhe pritet të kontraktohen gjatë muajit korrik. Ndërkohë, jo vetëm që është shkelur një marrëveshje politike, por, nga ana tjetër, dikasteri përgjegjës nuk ka zbardhur as procedurat në faqen e ATRAKO-s (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve pranë Ministrisë së Ekonomisë”.

Objektet
Hidrocentralet pritet të ndërtohen në pesë kaskada dhe lugina të ndryshme të vendit. Kështu, Hidrocentali në Thanë (rezervuari i Murizit, Lushnje), me afat 35 vite pritet të tenderohet duke hapur ofertat në datën 17 korrik. Procedura për prokurim është shpallur në datën 15 qershor.

Hidrocentrali tjetër është mbi Lumin Shalë (Theth) me afat shfrytëzimi 35 vjet i formës BOT. Ky koncesion është shpallur në datën 27 qershor dhe dokumentat nga konkurrentët në tender do të dorëzohen në datën 25 Korrik.

Hidrocentrali Lusa (Burrel) është një tjetër koncesion hidrik i shpallur në muajin qershor për të përfunduar dorëzimi i ofertave për tenderim në Korrik.
Hidrocentrali tjetër është në Kukur (Gramsh) dhe ka afat 25 vite, tenderi për prokurimin e tij mbyllet në datën 10 korrik.
 
Ndërsa hidrocentrali Gojan është në luginën e lumit Fan i Madh (Mirditë). Gara për përcaktimin e fituesit është 31 Korriku. Koncesioni i HEC Gojan nuk është i ri. Ai i përket grupit të hidrocentraleve të dhënë nën një kontratë koncesionare nga ish-qeveria Berisha.

Kjo kontratë përfshinte pesë hidrocentrale: Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit, Fangu. Por, në fund të vitit 2016, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ,sëbashku me kompaninë turke Ayen AS Energji, që është edhe kompania që ka fituar të drejtën e kësaj kontrate, ranë dakord që, nga pesë HEC-e, numri të reduktohej në tre: Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangu.

Strategjia
Duke filluar prej vitit 2002 deri më sot janë firmosur 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524  hidrocentraleve me kapacitet 2.165 megavat. Gjatë vitit të kaluar u vunë në punë 38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-eve private arriti në 138, nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015.

Bashkë me shtimin e numrit të HEC-eve të vogla, është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte. Sipas ERE-s, prodhimi vendas vitin e kaluar shënoi 7.14 miliardë kilovatorë, nga të cilat 5.1 miliardë u prodhuan nga HEC-et në pronësi të KESH-it shtetëror dhe 2.1 miliardë kilovatorë u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 28% të totalit të prodhimit vendas të energjisë.

Megjithatë, kjo strategji mendohet se ka dy pika të dobëta. Së pari, dëmtimin e natyrës. Le të kujtojmë psh protestën e banorëve të Valbonës për futjen e ujit të lumit malor nëpër tuba. Ndërkohë, megjithë këtë, plot 55 për qind e energjisë që po hidhet në rrjetin e Operatorit të Shpërdarjes së Energjisë aktualisht importohet. Por kjo, sipas operatorit të Shpërndarjes, sivjet vjen nga thatësira e zgjatur, që thau pjesën më të madhe të rezervës ujore që përdorin HEC-et.



dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati