Qeveria hedh për konsultim projektvendimin, 32 milionë euro për fortifikimin dhe menaxhimin e kufirit në dy vite

Qeveria hedh për konsultim projektvendimin,  32 milionë euro për fortifikimin dhe menaxhimin e kufirit në dy vite

Relacioni dhe kryeministria

TIRANE  - Qeveria shqiptare do të shpenzojë 3.5 miliardë lekë ose rreth 32 milionë euro për menaxhimin e vijës kufitare të Shqipërisë për dy vite. Shifrat bëhen të ditura në projektvendimin për Planin e Veprimit 2024-2025 në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Brendshme.

‘Projektvendimi i Këshillit të Ministrave synon të shërbejë si një instrument për të bashkërenduar të gjithë aktorët e interesuar shtetërorë dhe joshtetërorë, si dhe partnerët ndërkombëtarë që ndihmojnë e mbështesin vendin në përmirësimin e të gjithë komponentëve të menaxhimit të integruar të kufirit, duke adresuar problematikat e sfidat me mënyrat e mjetet për t’i përballuar ato.

Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Planit të Veprimit 2024 – 2025”, është rreth 3,5 miliardë Lekë, ose rreth 32 milionë Euro. Kursi mesatar për referencë është përllogaritur me 109 lekë për 1 euro ’- thuhet në projektvendimin e propozuar nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Pjesa më e madhe e parave që do të shpenzohen për zbatimin e Planit të Veprimit 2024-2025, 2.7 miliardë lekë apo 78 për qind e totalit do të dalin nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër do të mbulohet nga shtete partnere.

Shpenzimet e planifikuara për periudhën 2024-2025 në buxhetet e institucioneve përgjegjëse, janë planifikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026. Për periudhën 2024-2025, buxheti i shtetit pritet të financojë 2,7 miliardë lekë ose 78% të kostove indikative totale të planit për periudhën 2024-2025, ndërsa financimi i huaj është 761 milionë lekë ose 22% të kostove indikative" thuhet në pr/vendim

Sipas projektvendimit, gati 1.9 miliardë lekë do të shpenzohen për menaxhimin e 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Pjesa tjetër e parave do të shkojnë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në dogana si dhe për të pritur trajnuar stafet e pikave kufitare dhe pritur azilkërkues me kombësi të ndryshme.

Synohet dhe pajisja me skanera të bagazheve për Degët Doganore Muriqan, Kapshticë, Kakavijë, Qafë Botë, Qafë Thanë.

Ky projektakt është parashikuar në Programin e Përgjithshëm Analitik të Projektakteve të Ministrisë së Brendshme në katërmujorin e II-të të vitit 2024 dhe do të paraqitet për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.

Ligj për kontrollet e kufirit shtetëror
Ndër masat masat kryesore të parashikuara në këtë Plan Veprimi veçohet: Miratimi i ligjit "Për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror" dhe akteve të tij nënligjore, për një përafrim të mëtejshëm të legjislacionit kombëtar dhe procedural në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit me standardet evropiane, duke përmbushur kështu një nga rekomandimet e KE-së sa i përket fushës së menaxhimit kufitar.

Qendër kombëtare e menaxhimit të integruar të Kufirit
Do të ngrihet Qendra Kombëtare e Koordinimit të Menaxhimt të Integruar të Kufirit që do të merret me përmirësimin e trafikut ndërkufitar, sigurinë kufitare dhe ulur paligjshmërinë. 

Radarë për të mbikqyrur kufirin  blu, skanera në 5 pika doganore
Synohet dhe përmirësimi i kapaciteteve logjistike të Policisë Kufitare dhe Migracionit për mbikëqyrjen e kufirit blu, nëpërmjet instalimit të radarëve për përmirësimin e mbikëqyrjes dhe vëzhgimin e hapësirës detare dhe liqenore, si dhe pajisjes me mjete lundruese. Po kështu synohet pajisja me skanera të bagazheve për Degët doganore te kalimit kufitar tokësor, Muriqan, Kapshticë, Kakavijë, Qafë Botë, Qafë Thanë.

Kufijte me fqinjët
Do të rishikohen marrëveshjet dhe protokollet me Kosovën me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe procedurave ashtu dhe drejt integrimit të sistemeve të kontrollit të dy vendeve. Po kështu do të vijojë puna për nënshkrimin e protokolleve dhe zbatimin e marrëveshjeve për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar me vendet fqinje, konkretisht me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Marrëeshje ripranimi me 5 shtete
Sa i takon luftës kundër emigracionit të palighshëm dhe krimeve ndërkufitare parashikohet zhvillimi i operacioneve të përbashkëta me FRONTEX

Tjetër objektiv është përmirësimi i sistemit të ripranimit (kthimit dhe pranimit) të shtetasve të huaj dhe vendas, vijimi i negociatave drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të ripranimit me shtete si India, Algjeria, Egjipti, Pakistani e Maroku  dhe fillimi i fluturimeve nacionale dhe të përbashkëta të kthimeve në kuadrin e implementimit të marrëveshjeve të ripranimit.

Me ndihmën e Frontex e BE
Për realizimin e këtij Plani Veprimi do angazhohen dhe aktorë joshtetërorë dhe organizata ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, veçanërisht me Agjencinë Europiane të Rojes Kufitare dhe Bregdetare/FRONTEX.

“Bazat e ndërhyrjeve dhe veprimeve të përcaktuara në Planin e Veprimit kanë të bëjnë me përmirësimin dhe përafrimin e kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, ngritje të kapaciteteve, forcimin e qasjes parandaluese ndaj formave të krimit ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, modernizimin dhe lehtësimin e shërbimeve dhe qarkullimit të shtetasve dhe mallrave.”- thuhet në projektvendim.

Plani i Veprimit sipas ministrisë së Brendshme është edhe një hap më pranë Bashkimit Europian.

“Plani i Veprimit mbështet synimin strategjik e politik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes progresit dhe konsolidimit të institucioneve, rritjes dhe modernizimit të kapaciteteve, përmirësimit të infrastrukturës dhe sistemeve, modernizimit dhe lehtësimit të shërbimeve, forcimit të bashkëpunimit institucional, rajonal dhe ndërkombëtar,” thuhet në relacionin që shoqëron pr/vendimin.

Projekvendim/ “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale të menaxhimit të integruar të kufirit 2021-2027 dhe të planit të veprimit 2021-2023”

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Relacioni “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale të menaxhimit të integruar të kufirit 2021-2027 dhe të planit të veprimit 2021-2023”

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot