Skema Kombëtare për bujqësinë për vitin 2026 nuk do të përfshijë më furnizimin e fermerëve me naftë pa taksa, një nga format kryesore të mbështetjes që aplikohej prej vitit 2021 për uljen e kostove në prodhim. Ndryshimi është pjesë e Skemës së re Kombëtare të Bujqësisë e miratuar vetëm një ditë më parë nga qeveria.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla i pyetur nga gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku për skemën e naftës falas në bujqësi tha se kjo masë do të shtrihet në masat e tjera të skemës kombëtare, siç janë rritja e mbështetjes për tufat apo edhe kompensimin që do të përfitojnë fermerët nga kompensimi 10% i TVSH me qëllimin uljen e kostos së prodhimit.

“Skema e naftës është skemë mbështetëse, ne japim pagesë të drejtpërdrejtë. Skema që paraqitëm sot është skemë gjithëpërfshirëse, fermeri bëhet pjesë e të gjithë masave, dhe ajo që është më e rëndësishmja 10% i faturimit që do marrë në biznesin që do të çojë produktin. Kjo është ajo që u kemi ofruar fermerëve, nuk është vetëm një masë e caktuar e cila është thënë sot, hiqet masa e naftës. Nuk është vetëm masë nafte, është mbështetje për fermerin, këto masa që kemi vendosur është gjithëpërfshirëse dhe çdo fermer është pjesë e kësaj pakete”, tha Salla.

Ministri shpjegoi se skema e re për vitin 2026, përfshin disa lehtësira, sidomos për blegtorët, të cilët do të përfitojnë financime për një numër më të ulët krerësh se më parë. Nëse aktualisht për të marrë mbështetje nga shteti nevojitej një minimum prej 10 krerësh lopë, ky kufi zbret në 5 krerë, ndërsa paralelisht rritet dhe financimi nga 10 mijë në 12 mijë lekë për kokë.

Ngjashëm edhe për numrin e deleve dhe dhive, me numrin e krerëve që përgjysmohet për të marrë financimin i cili nga ana tjetër, po ashtu, rritet nga 1200 lekë në 1500 lekë. Edhe për bletët numri i nevojshëm i koshereve përgjysmohet ndërsa përfitimi dyfishohet, duke shkuar në 2 mijë lekë për zgjua.

Ministri Salla tha se në Skemën Kombëtare të 2026 shtohet për herë të parë financimi për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:13
IPARD ende në pikëpyetje, Salla: Deri më 9 prill ne duhet të plotësojmë detyrat, që të kërkojmë hapje fondesh

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla thotë se deri më datë 9 prill duhet të plotësojnë detyrat e lëna nga Bashkimi Europian për IPARD, që më pas të kërkojnë hapjen e fondeve.

“Ishim në Bruksel me ekipin dhe kemi diskutuar për të gjithë detyrat që kemi. Ne kemi qenë në datën 9 mars dhe brenda datës 9 prill duhet të dorëzojmë kërkesat që na janë kërkuar. Presim më pas akreditimin e paketës së IPARD”, tha Salla.