Fermerët kanë paguar vetëm 76.3 lekë për të blerë një litër naftë gjatë vitit të kaluar, pasi taksat që në vlerë ishin përllogaritur nga ministria e Bujqësisë në 97.8 lekë/lekë mbuloheshin nga buxheti i shtetit përmes skemës së mbështetjes. Si çmim reference për naftën, ishte vlera prej 174.1 lekësh/litër me TVSH, e publikuar nga INSTAT-i për muajin dhjetor 2024.
Kjo skemë që ka funksionuar prej vitit 2021, tashmë nuk do të jetë në fuqi për fermerët. Për 2026 lehtësirat për çmimin e naftës nuk janë përfshirë, me argumentin se mbështetja për fermerët do të bëhet përmes kompensimit 10% për faturat, apo rritjes së financimit për mbrojtjen biologjike në sera apo edhe për blegtorët.
Por sa fermerë kanë marrë naftë pa taksa në këto 5 vite?
Kur skema nisi aplikimin për herë të parë në vitin 2021, pati në total 21,502 aplikime me një mbulim të sipërfaqes së mbjellë prej 56 505 hektar. Aso kohe përfituan rreth 19,225 aplikime me rreth 4.1 milion litra naftë.
Skema shërbeu si një mekanizëm i ri edhe për të formalizuar sektorin pasi naftën e merrnin vetëm ata që kishin Nipt.
Në vitin 2022, kërkesa ka qenë shumë e lartë. Në total përfituan mbështetje 34,731 fermerë me fond total 1.9 miliard lekë.
Në vitin 2023 u bënë në total 54,691 aplikime, por ishin 54,217 fermerë të cilët përfituan 12.8 milion litra naftë ose gati 2.4 miliard lekë.
Më tej në 2024-ën nga skema e rimbursimit të naftës në bujqësi u shpallën 52,195 përfitues me një fond prej 2,2 miliardë lekë, dhe në vitin e kaluar e përfituan këtë subvencion 50,062 fermerë me në total 2.1 miliardë lekë.
Në 5 vite, nga buxheti i shtetit janë dhënë gati 87 milionë euro, në mënyrë që fermerët ta përfitonin naftën me çmim të reduktuar, në të cilin nuk përfshihen taksat.
Tashmë paratë që shkonin për këtë skemë të dedikuar naftës, janë shpërndarë në masat e tjera si rritja e financimit për blegtorët që kanë ferma gjedhësh, të imtash, dosash apo merren me bletari. Ndërsa në bujqësi shtohet financimi për mbrojtjen biologjike, që synon që në vend të pesticideve të përdoren insekte jo të dëmshme.
Komente











